Arkitektët e njohur italian ligjërojnë në UBT për fasadat e ventiluara

Arkitektët e njohur italian ligjërojnë në UBT për fasadat e ventiluara

Ligjërata tematike e arkitektëve italianë, Davide Prando dhe Federica Matinetto, zgjoi interesimin e shumë studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët u mblodhën në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, për të zgjeruar njohuritë e tyre mbi definicionin. Konceptin e strukturave dhe fasadave të strukturuara.

 

Dekani i fakultetit, prof. dr Lulzim Beqiri, tha se një ligjëratë e tillë është shumë e rëndësishme për të marrë informacione mbi llojllojshmërinë e fasadave, në një dimension që nuk e shohim shpesh në Kosovë.
“Kjo ligjëratë duhet të shërbejë si informacion për një stil të ri të projektimit dhe vendosjes së fasadave, që aktualisht po përdoren gjerësisht në botë”, vlerësoi Beqiri.

 

Para fillimit të ligjëratës së arkitektëve, përfaqësuesi i kompanisë “ETANCO”, Carlo Trondoli rrëfeu për studentët historikun e themelimit të kompanisë së tyre, misionin dhe punët që kryhen prej saj.
“Kompania jonë e ka qendrën në Paris dhe është themeluar para rreth 60 vitesh. Momentalisht zotërojmë pjesën më të madhe të tregut botëror dhe tashmë e kemi filluar të prodhojmë e projektojmë edhe për Kosovë”, tregoi ai.

 

Arkitekti i kompanisë “ETANCO”, Davide Prando shpjegoi mbi definicionin dhe llojet e fasadave të ventiluara, sistemin që shfrytëzohet për to dhe për përparësitë e përdorimit të këtyre fasadave.
“Ekzistojnë tri tipologji të fasadave, përfshirë tipin që varet në teknikën e lidhjes së fasadave, tipin që varet nga pesha dhe atë të fiksimit të mbulesës ose sistemin struktural”, sqaroi Prando.

 

Ai theksoi se momentalisht sistemi klasik që po përdoret më së shumti në botë, por edhe në Kosovë, është sistemi struktural.

 

Sipas tij, fasadat e tilla kanë shumë më tepër përparësi në krahasim me ato normale.
“Përparësitë e projektimit të një fasade të ventiluar përfshijnë zgjidhjen e problemeve me nxehtësi, sigurojnë mbrojtje nga uji dhe mbrojtje akustike, teksa janë jashtëzakonisht shumë të qëndrueshme edhe ndaj lëkundjeve sizmike dhe fatkeqësive të ndryshme natyrore”, potencoi Prando.

 

Arkitektja e njohur e kompanisë “ABET LAMINATI”, Federica Matinetto e prezantoi kompaninë ku punon, me ç’rast tregoi se është funksionalizuar që nga viti 1946, ndërkaq tash i ka filialet e veta pothuajse në tërë botën.
Ajo ligjëratën e vet e fokusoi produkti MEG, si material që përdoret për fasada të jashtme.
“Meg është një produkt ndërtimi që është ideal për arkitekturën dhe përmban një bërthamë të ngurtë të kombinuar me një sipërfaqe dekorative. E veçanta e një materiali të tillë që po përdoret në tërë botën, është qëndrueshmëria afatgjate, kompaktësia dhe elementi dekorativ”, tha arkitektja Mattineto, teksa përmendi edhe karakteristika shtesë të këtij materiali ndërtimor.
“Karakteristikë tjetër e materialeve është edhe shumëllojshmëria e ngjyrave dhe modeleve të cilat po aplikohen tash e disa vite dhe për të njëjtat ka garanci deri në 10 vite”.

Në fund të ligjëratës, studentët patën mundësi të shohin përmes disa videove dhe fotografive aplikimin e këtyre materialeve, si dhe bënë bashkëbisedim mbi çështje të tjera që lidhen me fasadat e ventiluara.

Lajme