Rektori Hajrizi, pjesëmarrës në forumet e Samitit të Sofjes

Rektori Hajrizi, pjesëmarrës në forumet e Samitit të Sofjes

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi do të marrë pjesë në Samitin e Sofjes, ku pritet të marrin pjesë 28 shtetet anëtare të BE-së dhe përfaqësues të Ballkanit Perëndimor, në mesin e të cilëve, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.


Hajrizi do të jetë pjesë e Forumit të Vjenës për Ekonomi brenda këtij samiti, që për  mesazh kryesor do të ketë temën: “Politika takon Ekonominë”, teksa do të diskutohet zgjerimi i bashkëpunimit mes tyre dhe krijimi i ndërlidhjes ndërmjet fuqisë politike, ekonomike dhe akademike, si faktorë që ndikojnë në përshpejtimin e procesit të integrimit të Kosovës në BE.


Sipas rektorit Hajrizi, pjesëmarrja në një organizim të tillë do të thotë shumë për Kosovën, pasi do të diskutohet e ardhmja e të gjitha vendeve të Evropës, në veçanti e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.


“Me marrjen e presidencës së Bullgarisë në këshillin e BE-së, Ballkani Perëndimor ka marrë një prioritet dhe ideja është që gjatë kësaj presidence t’i kushtohet vëmendje e veçantë këtij regjioni për shkak të proceseve të integrimit dhe zhvillimit pasi që kësaj radhe këta kanë bërë një lidhje që të organizojnë edhe një forum në Sofje në kuadër të presidencës Bullgare dhe një mesazh dhe një event i cili do të jetë si urë lidhëse e presidencës Bullgare me presidencën Austriake, e cila vazhdon në gjysmën e dytë të këtij viti. ”, theksoi ai, teksa sqaroi se zgjidhja për përshpejtim të këtyre proceseve për Kosovën, është krijimi i bashkëpunimit ndërmjet palëve të interesit.


“Asnjë parti politike dhe asnjë biznes në Kosovë nuk ka potencial që vetëm t’i trajtojë problemet, si dhe asnjë universitet nuk ka mundësi të krijojë art të dijes për të gjitha fushat. E vetmja zgjidhje për një vend të vogël si Kosova është bashkëpunimi ndërmjet palëve të interesit, e kjo do të gjeneronte vlera”, vlerësoi Hajrizi.

Lajme