Ekspertët diskutojnë në UBT për rolin dhe ndikimin e vlerave në tregun botëror

Ekspertët diskutojnë në UBT për rolin dhe ndikimin e vlerave në tregun botëror

 

Në UBT u mbajt konferenca ndërkombëtare “Free Market Road Show”, si bashkëorganizim i UBT-së, Institutit Liberal për Hulumtim Politikash, Qendrës Austriake për Ekonomi dhe Aleancës së Konservatorëve dhe Reformistëve në Evropë. Temë kyçe  e këtij viti ishte: “Vlerat, cilat vlera!”.

 

Në këtë konferencë është diskutuar për vlerat liberale evropiane prej rritjes së popullsisë dhe janë trajtuar sfidat e këtyre vlerave në nivel ndërkombëtar dhe në dimensionon lokal.


Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, tha se vlerat nuk kanë ndonjë formulë të veçantë, por studentët dhe stafin e UBT-së i quajti vlerë.

“Për UBT ka qenë çdoherë e qartë propozimi i vlerave kur kemi filluar. Me 15 mijë studentë dhe 600 të punësuar, krijojmë një vlerë dhe kjo vlerë gjenerohet dhe integrohet në sistemin tonë në Kosovë dhe ndërkombëtarisht, duke dizajnuar sisteme të ndryshme që krijojnë qëndrueshmëri, rritje ekonomike, stabilitet, siguri, digjitalizim, inovacion, ndërmarrësi dhe shumë aspekte tjera shumë të rëndësishme”, tregoi rektori Hajrizi.


Në bashkëbisedim me studentët e UBT-së, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bëri të ditur se liberalizmi i vizave do të ndodh në fund të këtij viti, pasi, siç pohoi ai, Kosova i ka përmbushur kriteret e këtij procesi.

“Kosova ka nevojë për reforma ekonomike, në të njëjtën kohë, ne jemi duke i bërë ato. Kemi shumë iniciativa dhe kemi shumë ndërmarrës, të cilët janë të interesuar të vijnë  të investojnë në Kosovë”, tha Veseli.

 

Eksperti dhe analisti, Nima Sanandaji theksoi se është me rëndësi jetike të diskutohen tema të tilla, pasi shumë nga krizat me të cilat po përballet Evropa lidhen me vlerat.

“Ideja e këtij edicioni nuk është vetëm për të diskutuar gjëra të zakonshme që lidhen me ekonominë dhe filozofinë  e tregut të lirë sepse mendojmë se shumë nga krizat me të cilat përballet dhe do të përballet Evropa në të ardhmen e afërt lidhen me vlerat”, tha ai.


Përfaqësuesi i Qendrës Ekonomike Austriake, Federico Fernandez, vlerësoi se gara në tregun e lirë është shumë e shëndetshme në një shoqëri liberale, pasi gara në treg i ndihmon secilit të përmirësohet.

“Kur tentojmë ta shmangim konkurrencën, shkatërrojmë ekuilibrin se sa merret dhe sa dhurohet në një treg. Gara siguron që ne të bëhemi versioni më i mirë i vetes tonë, andaj shoqëria që tenton të shmang garën e tregut, është shoqëri që tenton të krijojë njerëz me mendësi mesatare”, konstatoi ai.

 

Në këtë konferencë, lidhur me temën kanë diskutuar dhe kanë ndarë përvojat e tyre profesorët e UBT-së, Ramadan Ilazi e Artan Mustafa,  drejtori i Institutit Liberal për Kërkime të Politikave, Adri Nurellari si dhe analisti Adrian Prenkaj.


Aktiviteti “Free Market Road Show” është seri e përvitshme e konferencave ndërkombëtare, që këtë vit do të mbahet në 40 qytete të shteteve të ndryshme të Evropës, ku do të synohet të ofrohet zgjidhje liberale për problemet aktuale.

 

 

Lajme