Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, gazetarët kosovarë nuk janë plotësisht të lirë

 Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, gazetarët kosovarë nuk janë plotësisht të lirë

 

Mediat në Kosovë konsiderohet se kanë liri të pjesshme dhe gazetarët jo rrallë herë kërcënohen për shprehjen e tyre të lirë, gjë që e pamundëson ushtrimin pa presione të profesionit.

 

Kjo u tha në konferencën “Liria e Shprehjes së Mediave në Kosovë”, të organizuar nga Instituti i Mediave i Kosovës dhe UBT, për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Kosovën më mirë nuk e paraqesin as raportet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes, të nxjerra nga organizata “Freedom House” dhe “Reporterët pa kufij”, sipas të cilave, shteti ynë renditet në mesin e vendeve me liri të pjesshme të shprehjes, përkatësisht zë vendin e 78-të.

 

Për këtë renditje, analistët, gazetarët dhe profesorët që morën pjesë në konferencë, gjetën dhe numëruan disa arsye.
Sipas tyre, mediat vuajnë nga ndikimet direkte dhe indirekte politike, presioni financiar, varësia nga pronarët dhe kërcënimet e sulmet ndaj gazetarëve kritikues e hulumtues ndaj pushteteve dhe njerëzve e rrjeteve të fuqishme.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, tha se Kosova ka shumë punë për të bërë që gazetarët të fillojnë të frymojnë lirshëm gjatë ushtrimit të profesionit të tyre dhe në këtë ndikim kanë edhe qarqet akademike, pasi, sipas tij, vetëm në këtë formë arrihet edukimi i masave dhe rritja e nivelit të demokracisë në vend.
“Bota po ndryshon me ritme të shpejta dhe sot është zvogëluar hapësira për gjetjen e një vendi të punës, por mbi të gjitha po hasen vështirësi në përshtatje me revolucionin e konvergjencës që po ndodh sot në botë dhe që po bën që secili prej nesh të jemi gazetarë”, tha Hajrizi.

 

Ai tregoi se UBT tash e pesë vite, përmes Fakultetit Media dhe Komunikim, po krijon gjenerata që po i përshtaten këtij trendi kohor, që sjellin vlera dhe informacione të reja teknologjike, duke shndërruar kështu në profesionistë që shumë lehtë po e gjejnë veten në tregun e punës.

 

Kryetari i Bordit të Institutit të Medias të Kosovës, Fazli Veliu, bëri një përmbledhje të raporteve vendore e ndërkombëtare të organizatave të ndryshme, mbi gjendjen e të bërit gazetari në Kosovë, nga të cilat del se gazetarët dhe gazetaria gjenden në pozitë të favorshme.
“Nuk ka ambient të favorshëm për ushtrimin e gazetarisë, nuk ka siguri për gazetarë hulumtues e kredibilë. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë sulmuar 27 gazetarë për bindjet dhe shprehjen e tyre të lirë, e kjo gjendje duhet ta shqetësojë secilin prej nesh”, vlerësoi ai.

 

Veliu si shqetësim e paraqiti edhe nivelin e ulët të besueshmërisë dhe shpërndarjen e lajmeve të rrejshme nga mediat kosovare, sidomos nga portalet, ndonëse qytetarët lajmin e parë mbi një ngjarje e marrin prej tyre.

 

Vend për përmirësim në këtë fushë sheh edhe zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, sipas të cilës, qeveria aktuale po mundohet të jetë më transparente dhe më bashkëpunuese me gazetarë dhe media.
“Gjatë këtij viti, konsideroj se ne kemi arritur që të përgjigjemi në telefonatat dhe mesazhet e gazetarëve në mbi 95% të rasteve, gjë që tregon se ne po mundohemi të krijojmë një qasje më ndryshe me mediat”, sqaroi ajo.
Sipas saj, Qeveria nuk është kursyer as në krijimin e qasjes në dokumente zyrtare, me ç’rast, sipas saj, nga 27 kërkesa, 26 prej tyre kanë marrë konfirmim të plotë.

 

Anëtari i Bordit në Institutin e Medias të Kosovës, Nexhmedin Spahiu, potencoi se nuk mund të ketë shoqëri dhe shtet demokratik, pa pasur liri të shprehjes paraprakisht.
“Nuk mund të krijohet një shoqëri e lirë pa media të lira, por megjithatë, jo gjithmonë mediat janë në funksion të demokracisë sepse pushteti shpesh arrin që përmes parave t’i ndalojë dhe kështu mediat e mira e humbin funksionin për të cilin janë krijuar”, konstatoi Spahiu.

 

Ish-kryetari i KPM-së, njëherësh ligjërues në UBT, Adnan Merovci, tha se liria e shprehjes ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë, por paralel me të do të ekzistojë edhe tendenca për ta shuar atë.
“Tendenca për t’i bërë gazetarët ka qenë gjithmonë, por legjislacionet dhe mbi të gjitha instancat më të larta për mbrojtjen e fjalës së lirë, siç është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e mbrojnë shprehjen e lirë të tyre”, sqaroi Merovci, sipas të cilit, mediat nuk duhet t’i harrojnë edhe dy obligimet për të cilat themelohen, e që janë mirëinformimi dhe krijimi i hapësirës për t’u shprehur.

 

Politologu dhe ligjëruesi në UBT, Belul Beqaj, vuri në fokus rolin e mediave në degradimin e analizave politike, si reflektuese dhe shoqëruese të ideve të shoqërisë.
“Për të mos kaluar në banalizim dhe degradim të mëtutjeshëm të analizave në Kosovë, ato duhet të jenë të ndërtuara nga informatat të cilat merren nga burimi i drejtpërdrejtë, informatat duhet të jenë objektive për zgjidhjen e problemit dhe ato janë më të besueshme kur vijnë nga burime të paangazhuara politikisht, informata e ekspertëve është më e vlefshme, gjithmonë përderisa nuk është e varur nga politika dhe politikanët”, vlerësoi Beqaj.

 

Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, në UBT, prof. dr Ferid Selimi, pjesën më të madhe të fjalimit të tij ia dedikoi gazetarëve të ardhshëm, të cilët i këshilloi që të mësojnë në mënyrën e duhur zanatin për të cilin po shkollohen.
“Lexoni gjithçka që ka të bëjë me mediat dhe shoqërinë, përcillni raportet e punës së institucioneve lokale, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare, mësojeni zanatin e të ndjekurit të ngjarjeve, mësojeni zanatin e të pyeturit, mësojeni zanatin e të shkruarit. E kur të zotëroni këto tre zanate, jeni rrugës së mirë për t'u bërë gazetarë të mirë”, tha ai.

 

Diskutimin mbi lirinë e shprehjes, besueshmërinë e mediave dhe mënyrat e rrugët që çojnë në përmirësimin e kësaj gjendjeje, e pasuruan edhe më shumë gazetarët e analistët shumëvjeçarë të Kosovës dhe studentët e Medias e Komunikimit në UBT, të cilët morën pjesë në këto konferencë.

Lajme