Fakulteti Juridik i UBT-së, mundësi unike për arritje profesionale

 Fakulteti Juridik i UBT-së, mundësi unike për arritje profesionale

 

Krahas drejtimeve që në fokus kanë teknologjinë, UBT njihet edhe për nxjerrjen e kuadrove tejet të përgatitura në shkenca sociale.
Një fakultet i tillë është ai Juridik, i cili falë stafit të përgatitur profesionalisht, po arrin të nxjerr në çdo vit studentë që me lehtësi po e gjejnë vetën në tregun e punës.

 

Intervistë me dekanen e Fakultetit Juridik, prof. dr Jorida Xhafaj

UBT News: Cilat janë veçoritë e Fakultetit Juridik?
Xhafaj: Fakulteti Juridik ne UBT funksionon si njësi akademike e cila përfshin fusha kërkimi homogjene në drejtimin juridik. Veprimtaria e tij në drejtim të administrimit të proceseve akademike dhe kërkimore bazohet mbi strategjinë institucionale, zhvillimet bashkëkohore në shkencat juridike dhe parimin e lirisë akademike e të formimit cilësor të gjeneratave të ardhshme. 
Programi LLB në Juridik ka si objektiv themelor aftësimin e studentëve për të analizuar fakte juridike, koncepte, kuadrin ligjor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar apo politika, duke u përshtatur më mirë dhe më shpejtë me pozicionet bazë të tregut të punës. 
Ky program është i ndërtuar për të krijuar dije dhe për të aftësuar studentët të mendojnë dhe interpretojnë në mënyrë analitike, për të forcuar besimin profesional të tyre dhe për t’i ndërgjegjësuar mbi mundësitë e kontributit në zhvillimin e vendit. 
Elementet që spikasin në aktivitetin e Fakultetit Juridik dhe që e diferencojnë atë janë: 
- Vëmendja e posaçme në dimensionin evropian dhe krahasues të studimit të ligjit;
- Ndërthurja e mësimdhënieve teorike dhe atyre praktike në mënyrë të ekuilibruar, duke garantuar përshkallëzimin e dijeve ndër vite;
- Angazhimi stafit mësimdhënës të larmishëm, duke përfshirë studiues me emër në vend, ekspertë në fusha të veçanta apo profesorë vizitorë të huaj;
- Mundësia e studimit dhe përftimit të njohurive nëpërmjet mësimit në grupe të vogla, me përdorimin e metodave inovative të mësimdhënies;
- Zhvillimi i eksperiencave nga praktika mësimore në institucione publike dhe private;
- Mundësi shumë të mira punësimi pas diplomimit, mbështetur në besueshmërinë e UBT-së në shoqëri dhe në qarqet institucionale;
- Komunikimi dhe atmosfera informale në diskutimet midis mësimdhënësve dhe studentëve, me qëllim nxitjen e mendimit të lirë kritik;
- Fokusi i qartë drejt lidhjes së kërkimit shkencor dhe mësimdhënies.

 

UBT News: Pse të rinjtë duhen të studiojnë në Fakultetin Juridik të UBT-së?


Xhafaj: Studimi në këtë degë realizohet në dy nivele: nivelin bazë dhe atë të specialitetit, të strukturuar sipas parimeve dhe standardeve evropiane te arsimit të lartë. Kështu, programi i studimit ofron arsimin bazë të karakterit të përgjithshëm dhe më pas formimin special. 
Programet e ofruara nga Fakulteti juridik garantojnë mundësinë e ndjekjes së niveleve të njëpasnjëshme të studimeve duke ofruar një shumëllojshmëri të nëndrejtimeve në këtë fushë. 
Së bashku me konsolidimin e eksperiencës së tij, Fakulteti Juridik ka formuar modelin dhe filozofinë e tij të realizimit të programit, mbështetur në traditën kombëtare të studimit në juridik, ashtu edhe të modeleve më të mira të universiteteve perëndimore, studime shkencore të realizuara, praktikat dhe përvojat ligjore te demokracive të zhvilluara.

 

UBT News: Sa është numri i studentëve të punësuar dhe i atyre që kanë vazhduar studimet jashtë vendit?


Xhafaj: Ambienti akademik i ofruar për studentët dhe stafin mësimdhënës ofron mundësi, të cilat i shtyjnë ata të synojnë nivelin më të lartë të njohurive dhe eksperiencave profesionale.
Studentët që diplomohen në Fakultetin Juridik, në UBT, janë juristë në shoqëri tregtare, juristë të administratës publike, juristë në sistemin bankar, agjentë të sigurimeve, nëpunës të policisë së shtetit, juristë në qendra biznesi dhe organizata të ndryshme joqeveritare. 
Njohuritë e fituara prej studentëve mbi sistemin e drejtësisë, si edhe cilësitë njerëzore të kultivuara në auditorë janë jo vetëm një garant i punësimit dhe zhvillimit të profesional të studentëve, por edhe i formimit të gjeneratave të sigurta profesionalistësh, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin shoqëror të Kosovës.
Elementët, të cilat identifikojnë dhe dallojnë Fakultetin Juridik janë njëherazi edhe arsyeja që do të shtynte çdo student të zgjedh UBT-në. 
Veprimtaria në fakultet realizohet me besimin e plotë se dijet e ofruara janë në përputhje me kërkesat për arsimim cilësor, në meritokraci dhe perspektivë profesionale.
Duke iu referuar të dhënave të nxjerra nga raporti i përvitshëm vlerësues i kryer nga Qendra për Orientim në Karrierë dhe Internship e UBT-së, përmes një pyetësori të realizuar me rrjetin e ish-studentë të institucionit, konfirmohet niveli i lartë i punësimit të tyre, deri në 90%, sidomos në rastet e ndërthurjes së arritjeve akademike me pozitën e tyre të punës.
Programi Juridik dhe diploma e realizuar në përfundim të studimeve, ka mundësuar që studentët të vijojnë studimet master edhe në universitete të huaja, duke dëshmuar ndërkombëtarizimin e diplomës së UBT-së dhe reputacionin pozitiv të ngritur vit pas viti edhe prej rezultateve të studentëve tanë. 
Vlen të theksohet se mbështetja e institucionit është reale duke i motivuar edhe studentët aktualë që të studiojnë dhe të besojnë në shpërblimin e përpjekjeve në vite.

Lajme