Promovohet libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, i autorit Shaban Murati

 Promovohet libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, i autorit Shaban Murati

Në prani të shumë mysafirëve, studentëve dhe profesorëve, në UBT, është promovuar libri: “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, i autorit Shaban Murati.

 

Në libër autori paraqet një nga çështjet më interesante dhe më intriguese të diplomacisë shqiptare në të gjithë historinë e Shqipërisë, e cila ka marrë emrin çështja e detit.


Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi tha se libri botohet në kohën kur çështja e detit është në interes publik, shkencor dhe diplomatik, duke analizuar enigmat, por edhe duke dhënë përgjigjet për çështjen e detit. Tutje, rektori Hajrizi shtoi se në libër jepen edhe analiza diplomatike për këtë çështje.


Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, beri të ditur se autori në këtë libër trajton çështjen diplomatike, e cila lindi nga marrëveshja midis qeverive të Shqipërisë dhe të Greqisë në vitin 2009, e anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010.


Autori i librit, Shaban Murati, tregoi se këtë libër ia ka kushtuar diplomatëve dhe interesave shtetërore e kombëtare. Sipas tij, për shkak të interesit të madh të temës në qarqet diplomatike dhe akademike, shqiptare, rajonale dhe më gjerë, libri është botuar njëkohësisht në gjuhën shqipe dhe angleze.


Libri i autorit, diplomatit, studiuesit dhe analistit diplomatik, Shaban Murati, i titulluar: “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, është botuar nga Fondacioni Kulturor “Alsar”, në Tiranë.

 

 

Lajme