UBT, tashmë anëtar me të drejta të plota në Asociacionin e Universiteteve Ballkanike

 UBT, tashmë anëtar me të drejta të plota në Asociacionin e Universiteteve Ballkanike

Këshilli i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (Balkan Universities Association) ka pranuar aplikimin e UBT-së për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në këtë asociacion.

 

Anëtarësimin me të drejta të plota, duke e përfshirë edhe të drejtën për votim, në Asociacionin e Universiteteve Ballkanike, zyrtarisht e ka nënshkruar rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi. 
Kjo vjen një vit pas aplikimit të UBT-së anëtarësim, me ç’rast ishte pranuar si anëtar me të drejta të asociuara.

 

Nënshkrimi u bë në takimin e katërt të BUA-s, të mbajtur me të gjithë rektorët e mbi 40 universiteteve anëtare të asociacionit, ku nikoqir për këtë vit ishte Universiteti i Tetovës.

 

Me këtë rast, rektori Hajrizi tha se anëtarësimi i UBT-së në këtë asociacion do të krijojë mundësi të shumëfishta për bashkëpunim dhe për ofrim të kontributit dhe ekspertizës në fushën e arsimit, shkencës, dhe më gjerë.
“Nënshkrimi i anëtarësimit në këtë asociacion do të krijojë mundësi të reja për aplikim në projekte të përbashkëta evropiane, si dhe do të ofrojë mundësi të shumta bashkëpunimi, me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të nivelit të arsimit në vendin tonë dhe në rajon”, theksoi Hajrizi.

 

Po ashtu, sipas tij, asociacioni pjesë e së cilës tashmë është UBT, parasheh krijimin e një rrjeti shkencor në fushat e gjuhës, kulturës, artit, historisë, ekonomisë, arsimit dhe sportit dhe kujdesit shkencor, ku anëtarët bashkëpunojnë për realizimin e synimeve të BUA-s.

 

Takimi i radhës i anëtareve të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, për vitin akademik 2018/2019, do të mbahet në Universitetin “Aristoteli”, në Selanik.

Lajme