Studentët e Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës vizituan impiantet në Shkabaj dhe Mramor

Studentët e Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës vizituan impiantet në Shkabaj dhe Mramor

 

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT, kanë vizituar Impiantin e Trajtimit të Ujit të Pijes në Shkabaj dhe atë në Mramor, ku u shoqëruan nga ligjëruesit, Ilir Abdullahu, Sokol Xhafa dhe Hazir Çadraku dhe nga përfaqësuesit e KRU “Prishtina”.

 

Vizita ka nisur në Impiantin në Shkabaj, me ç’rast nga përgjegjësit janë prezantuar normat dhe teknologjia e ndërtimit për objekte të tilla, si dhe është prezantuar teknologjia e instaluar në fushën e trajtimit të ujit të pijes, si teknologji e avancuar e kohës së sotme.


Tutje, studentët panë nga afër edhe procesin e ajrimit, flokulimit, filtrimit dhe dezinfektimit të ujit, teksa u prezantuan edhe sistemet e pompimit, e mbi të gjitha, operimi dhe monitorimi përmes sistemit SCADA, si sistem monitorimi nga qendra apo nga distanca. 
Në vizitat nëpër secilin objekt në kuadër të ITUP-së në Shkabaj, u prezantuan edhe materialet dhe reagensit që aplikohen gjatë trajtimit të ujit, qoftë koagulantët që përdoren, po ashtu edhe dezinfektuesit e ujit për pije.


Vizita tutje ka vazhduar në ITUN-në në Mramor, ku studentët kishin mundësi të shihnin parimin e punës së impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura me sistem biologjik, duke përfshirë të gjitha fazat e trajtimit, deri në shkarkim final, si dhe panë edhe sistemet e operimit kontrollit dhe mirëmbajtjes së objekteve të tilla. 
Në të njëjtin objekt u panë edhe veprat hidroteknike dhe teknologjike në çdo hap trajtimi të ujit të ndotur, i cili ujë pastaj shkarkohet në Liqenin e Badovcit, prej ku uji merret, trajtohet dhe arrin të bëhet ujë i pijes.

Lajme