Studentët e UBT-së, mundësi për pjesëmarrje në Akademinë Verore të Universitetit Linnaeus, në Suedi

 Studentët e UBT-së, mundësi për pjesëmarrje në Akademinë Verore të Universitetit Linnaeus, në Suedi

 

Bashkëpunimi i ngushtë mes UBT-së dhe Universitetit  Linnaeus të Suedisë, ka arritur në një nivel tjetër, nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejt studentët.

 

Dy studentë të UBT-së do të kenë mundësi të bëhen pjesë e Akademisë Verore të këtij universiteti, që është përcaktuar të mbahet prej 16 korrikut, deri më 17 gusht të vitit 2018, dhe prej ku do të kthehen me një përvojë të paharrueshme nga përcjellja e ligjëratave, e punëtorive të ndryshme dhe nga njohja e mijëra studentëve të tjerë nga të gjitha vendet e botës.

 

Sipas rregullave të aplikimit të përcaktuara nga Universiteti Linnaeus, studentët duhet të propozohen nga organet kompetente të UBT-së, ndërsa afati i fundit për propozimin e studentëve është data 15 mars, teksa për përfundimin e procedurave të aplikimit nga studentët, fati i  fundit është më 1 prill.

Krahas studentëve të UBT-së, edhe studentët e universitetit partner, do të aplikojnë për të qenë pjesë e Akademisë Ndërkombëtare Verore që UBT e organizon tash e disa vite dhe ku çdo vit marrin pjesë qindra studentë.

 

Universiteti Linnaeus është universitet modern në Suedinë Juglindore, që zhvillon mësimdhënien dhe hulumtimin në dy qytete, Växjö dhe Kalmar.

Universiteti Linnaeus është universiteti i gjashtë më i madh në Suedi dhe ka më shumë se 31,000 studentë.

 

 

Lajme