Studentët e UBT-së, të parët në garën “Dita kur hakimi është i ligjshëm”

 Studentët e UBT-së, të parët në garën “Dita kur hakimi është i ligjshëm”

 

Në ditën e tretë të Konferencës Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, ndër tjerash ka zhvilluar punimet punëtoria “Dita kur hakimi është i ligjshëm”, ku si rezultat i performancës së treguar në këtë garë janë zgjedhur tre grupet fituese.


Mbi 40 garues morën pjesë në këtë garë, ku për disa orë kanë punuar në gjetjen dhe identifikimin e dobësive të sigurisë, të gjetura janë mbledhur në një raport dhe më pas janë vlerësuar nga juria profesionale.


Në bazë të rezultateve që ata kanë arritur, vendi i parë i takoi grupit të përbërë nga studentët e UBT-së, Arben Shala dhe Çlirim Emini, të cilët janë shpërblyer me 3 mijë euro.


Çmimin për vendin e parë e ka ndarë rektori i UBT-së, prof..dr Edmond Hajrizi, i cili është shprehur se institucioni numëron shumë talentë në shkenca kompjuterike, të cilët vazhdimisht prinë në ngjarjet më të mëdha që organizohen për siguri kibernetike në Kosovë dhe rajon.


Tutje, rektori Hajrizi tha se UBT do të përkrahë gjithmonë ngjarje të tilla, organizime të cilat do të arrijnë edhe nivelin ndërkombëtarë për ka rëndësia.


Po ashtu, nga shumë të rinj të talentuar që morën pjesë në garën “Dita kur hakimi është i ligjshëm”, si rezultat i të gjetjes së mangësive në sigurinë e webfaqeve të institucioneve publike dhe private, në vendin e dytë është renditur grupi në krye me Butrint Komoni dhe në vendin e tretë i takoi grupit në krye me Erëza Latifi.


Derisa, hakerit më të ri në moshë, 14 vjeçarit Enis Mahollit, i është ndarë mirënjohje për kontributin dhe rezultatet që ka arritur si garues në këtë garë.


Në ditën e tretë dhe përmbyllëse të Konferencës Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, punime me të gjeturat në sigurinë kibernetike, kanë prezantuar folës vendor e ndërkombëtar, përfshirë Florian Konushevci, Meridian Miftari, Kastriot Fetahaj, Vladimir Vesely, Stefan Petrusevski dhe Petrit Rama.

 

 

 

 

 

 

Lajme