Kreshnik Zariqi i UBT-së, përfiton nga YouTube

Kreshnik Zariqi i UBT-së, përfiton nga YouTube

Studenti i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, Kreshnik Zariqi është duke punuar online në YouTube, me ç’rast ka krijuar një llogari që tashmë është verifikuar nga ky uebsite dhe përmes saj, po gjeneron të ardhura financiare.

Nga kanali i vet në YouTube, ai publikon video të ndryshme, dhe në bazë të klikimeve që ato i arrijnë, ai përfiton financiarisht, e kjo e bën studentin Zariqi njërin ndër studentët e shumtë të UBT-së, që gjeneron të ardhura lehtësisht dhe pa pasur ndonjë vend specifik pune apo orar të caktuar.
Muaj më parë, ai ka punuar online edhe në eBay, një treg botëror online, që merret me shitblerjen e produkteve të ndryshme nga e mbarë bota.
Zariqi, aktualisht nuk e sheh të arsyeshme punësimin në një kompani, por thotë se po hulumton dhe po i zgjeron aftësitë në një fushë shumë pak të zhvilluar në Kosovë, atë të punësimit online nëpër kompanitë më të mëdha dhe më të njohura në botë dhe shprehet se UBT i ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për ta kuptuar më mirë këtë treg.
“UBT po më ofron një ndihmë të madhe sepse nga këtu kam arritur të fitoj njohuri shumë më të mëdha, më të detajuara dhe më të sakta, në lidhje me shumë çështje që kanë të bëjnë me tregun online të punësimit dhe mund të them se çdo ditë po përfitoj diçka të re”, vlerësoi ai.
Në UBT gjendet shkolla më e madhe e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë në vend dhe rajon, jo vetëm për nga numri i studentëve, por edhe për nga sukseset që ata po i arrijnë, përmes punësimit nëpër kompani të njohura vendore dhe ndërkombëtare, nëpër institucione shtetërore, apo edhe përmes vetëpunësimit.

Lajme