Studentët e UBT-së po kryejnë praktikën në kompaninë “Bechtel-Enka”

Studentët e UBT-së po kryejnë praktikën në kompaninë “Bechtel-Enka”

Një grup studentësh të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, kanë filluar punën praktike njëmujore në kompaninë “Bechtel-Enka”, e cila aktualisht është duke i realizuar punimet e autostradës “Arbën Xhaferi”, në relacionin Prishtinë-Shkup, teksa e njëjta, është lidere në regjion në punimin e autostradave.


Puna praktike është duke u realizuar ne grupe të përbëra nga shtatë studentë, ku në vazhdim do të vijohet edhe me grupet tjera, teksa praktika në fjalë do të zgjas deri në muajin shtator.


Gjatë kësaj kohe, studentët kanë mundësi ta vëzhgojnë nga afër realizimin e punëve të ndryshme gjatë ndërtimit të autostradës , përkatësisht do të njoftohen me realizimin i punimeve të dheut, drenazhimit, betonimit, asfaltimit, si dhe me pjesën e strukturave, llogaritjeve, projektimit dhe realizimit të objekteve të ndryshme në kuadër të autostradës.

 

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. dr Muhamet Ahmeti tregoi se ky është viti i tretë që studentët e UBT-së po e vijojnë praktikën profesionale në këtë kompani, me ç’rast shtoi se interesim i njëjtë është shfaqur edhe nga kompani tjera ndërtimore, të cilat janë tejet të interesuara që t’ju mundësojnë studentëve të UBT-së realizimin e praktikave profesionale në kompanitë e tyre.

 

Segmenti i autostradës “Arbën Xhaferi”, në relacionin Prishtinë-Shkup, është duke u realizuar në një pjesë shumë të vështirë të terrenit, e cila përbën një sfidë për kompaninë, por është edhe një rast i veçantë që studentët dhe inxhinierët të njihen me problemet të cilat do t’i hasin gjatë realizimit të punimeve.

 

Vlen të theksohet se gjatë kësaj kohe, studentët e UBT-së e kanë qasjen e lirë dhe do të jenë edhe pjesë e sektorëve të ndryshëm që janë përgjegjës për pozicione të ndryshme në këtë projekt.

Lajme