Fakulteti i Arkitekturës, me projekte inovative në ANV (Video)

Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ka filluar Akademinë Ndërkombëtare Verore me një larmi të madhe aktivitetesh, duke mbledhur në to studentë nga të gjitha institucionet vendore të arsimit të lartë, si dhe nga universitetet e rajonit, me qëllim të dhënies së kontributit të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemeve dhe plotësimin e nevojave të komunitetit.

 

Hapja e aktivitetit të këtij fakulteti u bë me ekspozitën e punimeve të studentëve, të mbajtur në Kampusin Inovativ të UBT-së, e cila fitoi vëmendjen e publikut të gjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve, njohës të fushës së arkitekturës, përfaqësues institucionesh, qytetarë të interesuar dhe studentë.

 

Në këtë ekspozitë u paraqitën punimet më të mira të arkitektëve të rinj, të punuara gjatë këtij viti akademik në lëndët e projektimit, konstruksioneve, planifikimit urban, studiove, enterierit dhe vizatimit të lirë.

 

Në ditën e parë të ekspozitës, të pranishëm ishin edhe mësimdhënësit dhe studentët e Universitetit të Bernit, në Zvicër, të cilët u impresionuan me punën e kryer nga studentët e nivelit bachelor. Për më tepër, ata shprehën edhe interesimin e tyre për realizimin e punëtorive dhe ekspozitave të përbashkëta me UBT-në, me ç’rast ngjarjet në fjalë do të zhvillohen në Prishtinë dhe Bern. 

 

Aktiviteti i Arkitekturës vazhdoi me organizimin e ligjëratave tematike për pjesëmarrësit e ANV-së, të cilat u mbajtën nga ligjëruesi i UBT-së në këtë fakultet, dr. sc Binak Beqaj.

Beqaj, për delegacionin nga Berni dhe për pjesëmarrësit tjerë të ANV-së, sqaroi shumë elemente që kanë të bëjnë me zhvillimet urbane karakteristike në kryeqytetet e Evropës Juglindore, si dhe me zhvillimet urbane në Prishtinë, që janë më karakteristike për shkak të tranzicioneve nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga periudha e paraluftës, kështu, duke u dhënë atyre mundësi të njoftohen me zhvillimet urbane kryesore, me karakteristikat, ngjashmëritë, dallimet, të mirat dhe të metat e ndërtimeve urbane, të cilat zhvillohen në këtë regjion.

 

Në po të njëjtën ditë, pjesëmarrësve në ANV u është shpërndarë detyra që do ta punojnë në mënyrë grupore, për gjetjen e problemeve dhe përmirësimin e gjendjes së një lokacioni real, i cili në këtë rast është rruga “Rexhep Krasniqi”, në lagjen Kalabria, në Prishtinë.

 

Në kuadër të këtij projekti të studentëve, do të kalohet nëpër disa faza, duke përfshirë, menaxhimin dhe zhvillimin, analizën e gjendjes dhe potencialet zhvillimore të zonës nga aspekti urban, hartimin e detyrës projektuese për planifikim urban, krijimin e versionit ose draftit të parë të projektit, planin dinamik të realizimit të këtyre fazave dhe prezantimin e projektit nga secili grup.

 

Në ditën e fundit të akademisë së këtij fakulteti, studentët do ta bëjnë prezantimin e projekteve të tyre dhe pas shqyrtimit brenda UBT-së, ato do t’i prezantohen Komunës së Prishtinës dhe do të shikohet mundësia e implementimit të tyre, në mënyrë që përfitimet të jenë të shumanshme.

Lajme