Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës kontribuon me tema risi në ANV

Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës kontribuon me tema risi në ANV

Aktiviteti i Fakultetit të Inxhinierisë  së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në ANV, është përcjellë me interesim të madh nga inxhinierët e ardhshëm, nga inxhinierët me përvojë shumëvjeçare, por edhe nga përfaqësues të shumtë nga industria, të cilët patën rastin të dëgjojnë ligjërata që trajtuan tema aktuale dhe pak të trajtuara deri më tani në fushën e ndërtimtarisë.

 

Për studentët pjesëmarrës, ligjëroi profesori i UBT-së, Sokol Xhafa, i cili trajtoi temën: “Sfidat e së ardhmes në sektorin e ujit”, me ç’rast përmendi burimet mbitokësore dhe nëntokësore në vendin tonë, mënyrën e shpërndarjes së tyre, shfrytëzimin e ujit për nevoja të përditshme, pastaj shtrirjen dhe mënyrat e mbrojtjes së burimeve ujore nga degradimet e shumta, menaxhimi i thatësirave, si dhe format e ngritjes së vetëdijes së konsumatorëve për rëndësinë e kursimit të ujit.

 

Kryeshefi i Ujësjellësit rajonal, njëherësh edhe ligjërues në UBT, Ilir Abdullahu gjatë ligjëratës së tij prezantoi punën që po kryhet nga fabrika për trajtimin e ujit, në Shkabaj, e cila po aplikon një sistem të ri të përpunimit të ujërave.

Në kuadër të këtij prezantimi, Abdullahu paraqiti punën që po kryhet nga kjo fabrikë, funksionin dhe strukturën e objektit, projektet që kryhen nga fabrika, mënyrat dhe procedurat e trajtimit të ujërave, si dhe pajisjet që shfrytëzohen për këtë qëllim.

 

Profesori i UBT-së, Hazir Çadraku trajtoi temën më titull: “Vulnerabiliteti i ujërave nëntokësorë- Harta e vulnerabilitetit”, qëllimi i së cilës ishte që të ofrojë njohuri bazike mbi përcaktimin e zonave vulnerabël, të cilat krijohen për shkak të ndotjes nga sipërfaqja e tokës. Tutje, Çadraku përmendi edhe ndërtimin e hartave të vulnerabilitetit, që kanë një rëndësi të veçantë për shumë fusha, e në veçanti për fushën e ndërtimit , planifikimit urban dhe shfrytëzimit të tokave.

 

Gjeologu i njohur nga Kosova, që vepron në Gjermani, Delator Shahini, para pjesëmarrësve të ANV-së shfaqi sistemin e ri të përdorimit të energjisë gjeotermale, në fushën e ndërtimtarisë, element këtë që e trajtoi në kuadër të temës: “Gjeometria dhe metodat e shfrytëzimit të energjisë gjeotermike”. Me këtë rast, ai paraqiti mënyrat e shfrytëzimit të energjisë gjeotermike, impiantin për shpime të thella, me qëllim të shfrytëzimit të shfrytëzimit të kësaj energjie, pastaj vënien në funksion të pompave gjeotermike përmes sondave, puseve dhe kolektorëve, përparësitë dhe mangësitë e energjisë gjeotermike etj.

 

Profesori i UBT-së, Arsim Rapuca, gjatë prezantimit të tij ligjëroi për temën më titull: “Projektimi i urave të betonit sipas Eurocodeve”, gjatë të cilës bëri një përmbledhje të pjesëve kryesore të eurocodeve që përdoren në projektimin e urave të betonit të armuar, të përcjella me analiza statike dhe dinamike të strukturës së urës, si dhe trajtoi edhe përmasat e punëve ndërtimore, ku përfshihen punët përgatitore, të dheut, të drenazhimit, të betonit, të armaturës, punët hidroizoluese, të asfaltit, pajisjet tjera, si dhe testimi i urës.

 

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, përmbylli punimet e kësaj dite me prezantimin e projektit të Betonit, të realizuar nga studentët e UBT-së, Ard Jashari dhe jeton Zogaj, të cilët paraqitën në mënyrë të detajuar paraqitën kërkesat për beton konform normave dhe standardeve, duke trajtuar në veçanti kërkesat e soliditetit mekanik, kërkesat e jetëgjatësisë ose durabilitetit, kërkesat e punueshmërisë, për çimento, për agregatim, kërkesat për Mix-Design dhe kërkesat ekonomike.

 

Nesër, gjatë tërë ditës, ky fakultet do të realizojë vizita nëpër fabrika të njohura vendore.

Lajme