Nis aktiviteti i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në ANV

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT , ka filluar me ciklin e ligjëratave tematike, të cilat po mbahen nga profesorë dhe ekspertë të kësaj fushe, aktivitetet ky që po zhvillohet në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore të UBT-së.

 

Hapjen e këtij aktiviteti e bënë dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, prof. dr Muhamet Ahmeti dhe prodekani i këtij fakulteti, prof. dr Visar Krelani, të cilët i informuan pjesëmarrësit me temat kryesore që do të trajtohen në kuadër të kësaj akademie, me ligjëruesit, si dhe me organizimet tjera që do të zhvillohen gjatë ditëve sa do të zgjas aktiviteti në këtë departament, teksa ata theksuan se gjatë kësaj kohe do të trajtohen tema të cilat nuk preken gjatë ciklit të ligjëratave në asnjërin vit akademik.

 

Me rastin e këtij aktiviteti, eksperti i komunikacionit, njëherësh edhe ligjërues në UBT, prof. dr Nol Dedaj trajtoi temën më titull: “Metodologjia e hulumtimit të ndikimit të elementeve të automjetit dhe e gjendjes së rrugëve në aksidente të komunikacionit, si dhe masat parandaluese”, gjatë të cilës shtjelloi në mënyrë të detajuar elementet dhe faktorët ndikues në shkaktimin e aksidenteve, mënyrat për minimizimin dhe eliminimin e tyre, si dhe masat parandaluese, të cilat çojnë drejt aksidenteve.

 

Ligjëruesi i UBT-së në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, PhD Cand. Armend Mujaj, gjatë ligjëratës së tij tematike, të mbajtur për studentë, u fokusua në temën: “Analiza dhe trajtimi i elementeve vertikale kompozite sipas normave evropiane SK EN 1994”, ku trajtoi historikun e zhvillimit të strukturave kompozite, përbërjen e tyre dhe standardet ekzistuese për projektimin e strukturave kompozite.

 

Tutje, për studentët ligjëroi dr. sc Nexhmi Krasniqi, që ligjëroi temën më titull: “Rëndësia e inxhinierisë ndërtimore në sektorin e minierave”, me ç’rast tregoi për punët që kryhen nga inxhinierët e ndërtimit nëpër miniera, për mënyrën dhe materialet e përdorura për në ndërtimin e objekteve të ndryshme në këtë sektor, si për infrastrukturën rrugore që ndërtohet brenda dhe jashtë minierave.

 

Aktiviteti i ditës së sotme përfundoi me ligjëratën e profesorit të UBT-së, dr. sc Afrim Syla, i cili trajtoi temën: “Impakti ambiental në ndërtimtari”, ku ligjëroi dhe dha informacione për ndikimin e inxhinierisë ndërtimore për ruajtjen dhe shfrytëzimin e të mirave natyrore në dobi të njeriut, për ndikimin e zhvillimit ekonomik në këtë aspekt, pastaj për risitë në proceset e projektimit dhe performancat në projektim, me qëllim të ndërtimit të qëndrueshëm, duke menduar për gjeneratat e ardhshme, si dhe u diskutua mbi qasjet profesionale të dizajnimit të objekteve.

Lajme