Nis aktiviteti i Planifikimit të Qëndrueshëm të Turizmit në ANV

Në objektin e UBT-së, në Prishtinë, ka filluar punimet në fushën e Planifikimit të Qëndrueshëm të Turizmit, si pjesë e Akademisë Ndërkombëtare Verore, me ç’rast morën pjesë profesorë dhe ekspertë të kësaj fushe nga vendi dhe më gjerë, si dhe dhjetëra studentë nga Kosova dhe shtetet fqinje.

 

Hapjen e këtij aktiviteti e bëri menaxherja e Qendrës së Ekspertizës për Mikpritje dhe Turizëm të UBT-së, Emine Daci, e cila prezantoi punën që po kryhet në kuadër të kësaj qendre, në fushën e turizmit dhe mikpritjes, si dhe përmendi projektet që po planifikohen të realizohen në kuadër të saj.

“Qëllimi i qendrës është që të ndihmojë në zhvillimin e mikpritjes dhe turizmit në Kosovë sepse UBT është gjithmonë mbështetës dhe promovues i inovacionit, duke bashkëpunuar me shumë organizata dhe palë të interesuara”, tha Daci.

 

Tutje, ajo tregoi se UBT po planifikon që, në kuadër të kësaj qendre, së shpejti ta themelojë Shkollën e Lartë të Turizmit, që do të jetë e para e këtij lloji në Kosovë dhe që, sipas saj, do të bazohet në praktikat më mira të vendeve, të cilat tashmë kanë traditë shumëvjeçare në këtë fushë.

“UBT po synon që të hulumtojë dhe të plotësojë nevojat e tregut liberal, ku më pas bashkërisht planifikojmë të krijojmë standard dhe kualifikim të lartë, duke u bërë kështu zëri i sektorit privat kosovar”, potencoi Daci.

Pjesë e hapjes së këtij aktiviteti ishin edhe përfaqësuesit e Shkollës së Lartë të Turizmit, HFT, në Luzern të Zvicrës, përkatësisht, profesoresha e kësaj shkolle, njëherësh edhe nënkryetare e Federatës Zvicerane të Turizmit, Chantal Beck, si dhe një grup studentësh të vitit të parë nga kjo shkollë.

Me këtë rast, profesoresha Chantal Beck, gjatë prezantimit të saj, ligjëroi temën më titull: “Menaxhimi i cilësisë në turizëm”, ku ndër  tjerash trajtoi standardet e cilësisë në Zvicër në sektorin e turizmit , pastaj historikun e zhvillimit, perspektiven, si dhe gatishmërinë e Zvicrës për bashkëpunim në këtë sektor me vendet tjera në Ballkan dhe botë.

Tutje, grupi i studentëve nga Zvicra, prezantoi të gjeturat e hulumtimeve të tyre në fushën e turizmit në Kosovë, teksa prezantuan edhe disa ide për hartimin e konceptit bazë, që do të shikohet gjatë hartimit të kurrikulës përfundimtare për themelimin e shkollës së lartë të turizmit në UBT.

 

Profesori i Universitetit të Shkupit, Bashkim Idrizi trajtoi temën më titull: “Roli i GEO ICT-së në sektorin e turizmit”, në kuadër të të cilës ligjëroi mbi infrastrukturën e të dhënave të informacionit, me qëllim të zhvillimit të një biznesi në turizëm të qëndrueshëm, përkatësisht trajtoi aspektin e infrastrukturës së të dhënave hapësinore, pastaj elementet përbërëse të kësaj infrastrukture, ku përfshihet korniza e të dhënave, standardet dhe metodat, aspektet fundamentale të të dhënave hapësinore dhe aspekti i kornizës teknologjike.

Në fund, ai paraqiti disa nga të dhënat e hapura dhe ato falas, si dhe aplikacionet, që ndërtohen për të krijuar bazat e të dhënave për turizëm, ku përmendi, ArcGIS Online, GTOPO 30 DEM, HERE MAPS, ONE GEOLOGY, Global Map dhe Openstreet Map.

 

Ligjërata e radhës në kuadër të kësaj akademie do të mbahet të hënën, më 10 korrik.

Lajme