Përfaqësuesit e Institutit të Arkeologjisë prezantojnë gjetjet arkeologjike para studentëve të UBT-së

Përfaqësuesit e Institutit të Arkeologjisë prezantojnë gjetjet arkeologjike para studentëve të UBT-së

Përmes një konference të organizuar për studentët dhe stafin akademik të UBT-së, përfaqësuesit e Institutit të Arkeologjisë së Kosovës, kanë prezantuar gjetjet e fundit arkeologjike që janë evidentuar në territorin e Kosovës. Ata, në mënyrë kronologjike kanë paraqitur artefaktet të cilat datojnë që nga parahistoria, e deri në mesjetë.

 

Drejtori i Institutit të Arkeologjisë së Kosovës, Enver Rexha ka bërë të ditur se Kosova posedon një koleksion të pasur arkeologjik dhe fakte të cilat janë zbuluar nga hulumtimet e arkeologëve.


Sipas tij, vitet e lulëzimit të arkeologjisë kosovare datojnë nga viti 2005, e deri më tani.

“Kemi arritur rezultate të mira, kështu, përveç parkut të Ulpianës, në të njëjtën rrugë është edhe fshati Dersnik i komunës së Klinës. Ndërkohë, të arritura pozitive kemi edhe në komunën e Novobërdës, andaj shpresojmë që të marrim sinjale pozitive për sa i përket fondeve, për të vazhduar gërmimet si në këtë pjesë, njësoj edhe në kalanë e Prizreni dhe në atë të Pogragjës në Gjilan”, ka thënë Rexha.

 

Ndërkohë, ai tha se kërkimet arkeologjike në vend janë të ndërthurura në mënyrë shkencore, ku vënë në funksion njohjen, analizimin dhe prezantimin e vlerave arkeologjike të Kosovës.


“Trashëgimia arkeologjike paraqet një thesar të çmuar të vendit tonë. Hulumtimet kërkimore arkeologjike u zhvilluan në bazë të kërkimeve sistematike, si dhe përmes studimeve gjeofizike etj. Andaj, këto dëshmi arkeologjike pasqyrojnë gjurmë, mbetje, rrënoja artefakte të civilizimeve të kaluara, si dhe të popullsisë autoktone”, theksoi Rexha.

 

Tutje, përfaqësuesit e Institutit treguan se gërmimet në shumë pjesë të Kosovës bëhen edhe në bashkëpunim me ekspertë nga vendet evropiane. Sipas tyre, në të ardhmen e afërt do të organizohen shumë ekspedita me karakter të gërmimit arkeologjik në vendbanime të periudhave të ndryshme, nga neoliti e deri në mesjetën e vonë.

Lajme