Sot, në UBT ligjëron prof. dr Bajram Berisha

Sot, në UBT ligjëron prof. dr Bajram Berisha

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, për studentët e UBT-së, sot do të mbajë ligjëratë profesori i Universitetit Teknik të Munihut dhe i Universitetit të Prishtinës, prof. dr Bajram Berisha.

 

Tema që do të trajtohet gjatë kësaj ligjërate është: “Kërkimi shkencor dhe zhvillimi i qëndrueshëm i shoqërisë- Roli i bioteknologjisë

 

Ligjërata në fjalë do të fillojë në ora 15:00, në Kampusin e UBT-së, në Lipjan.

 

Prof. dr Bajram Berisha lindi më 18 maj 1962. Shkollën fillore, të mesme dhe studimet i përfundoi në vendlindje, studimet pasuniversitare në Universitetin e Lubjanës dhe doktoraturën në Unviersitetin Teknik të Munihut.

 

Në vitin 1986 është pranuar asistent hulumtues, ndërkaq në vitin 1992 është zgjedhur asistent për lëndën “Gjenetika” në Fakultetin e Bujqësisë të UP.

 

Qe nga viti 2008 është profesor i rregullt në UP, ndërsa vazhdon të jetë profesor vizitor (visiting profesor) i përhershëm ne Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe në Universitetin Teknik të Munihut në Gjermani.

 

Është ndër shkencëtarët me kontribut ndërkombëtar i njohur për fiziologji, gjenetikë dhe bioteknologji animale, e veçanërisht i mirënjohur për kërkimet e tij origjinale shkencore në fushën e angiogjenezës dhe fiziologjisë së organeve të riprodhimit. Publikimet e tij shkencore janë cituar më shumë se 2500 herë dhe “Hirsch indeksi“ i tij aktual është h=30. Për të arriturat e tij kulminante shkencore në vitin 2012 nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) e Kosovës është zgjedhur “shkencëtari me i mire i vitit”.

Lajme