Në UBT mbahet seminari i ekselencës “Temat aktuale dhe në zhvillim në arsimin e lartë”, ligjëron dr. Gordon nga LSE

Në UBT mbahet seminari i ekselencës “Temat aktuale dhe në zhvillim në arsimin e lartë”, ligjëron dr. Gordon nga LSE

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, të martën u mbajt seminari i ekselencës: “Temat aktuale dhe në zhvillim në arsimin e lartë”, në të cilin ligjëroi profesoresha e London School of Economics, prof. dr Claire Gordon, teksa organizimi i tij u mundësua nga UBT, në kuadër të institutit IDEAA.

 

Gjatë këtij seminari u trajtuan tema që lidhen me problemet, sfidat dhe ndryshimet që është e nevojshme të bëhen në arsimin e lartë në Kosovë, duke u fokusuar në sfidat e institucioneve kosovare të arsimit të lartë në nivel institucional dhe kombëtar, pastaj në futjen e pjesëmarrësve në pedagogjinë e hartimit të kurrikulës, duke përfshirë faktin se si të zhvillohen të diplomuar aktivë, të angazhuar dhe të kualifikuar për të hyrë në tregun e punës dhe për të kontribuar në shoqëri, si dhe u trajtuan çështje që lidhen me hulumtimin e qasjeve për sigurimin dhe përmirësimin e cilësisë në nivel kombëtar, institucional dhe lokal, duke u bazuar gjithnjë në modelin që aplikohet nga London School of Economics, por edhe nga institucione tjera në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se një seminar, i cili përfshin edhe një debat të mirëfilltë mbi cilësinë dhe sfidat e arsimit të lartë në Kosovë, është shumë i mirëseardhur, sidomos kur bazohet në praktikat më të mira ndërkombëtare.


“Përmes këtij seminari synojmë që të reflektojmë për mënyrën e të mësuarit, kërkimit dhe kualitetit, duke i marrë si shembull praktikat më të mira ndërkombëtare, ku përfshihet edhe LSE”, theksoi Hajrizi.

 

Profesoresha e London School of Economics, njëherësh edhe anëtare e departamentit të Institutit Evropian brenda këtij institucioni, prof. dr Claire Gordon vlerësoi se në botë mungojnë mbledhjet dhe diskutimet mes përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme botërore, me qëllim të përmirësimit të nivelit të arsimit të lartë në botë dhe që do të shërbente për rritjen e cilësisë së studimeve.


“Ende nuk ka hapësirë të mjaftueshme që akademikë nga universitete të mblidhen dhe të diskutojnë për ndryshime, për ta bërë më të mirën për nivelin e studimeve, përmes të qenit pjesë aktive e procesit të të mësuarit, në mënyrë që të mësojmë dhe të rritemi së bashku”, tha Gordon, teksa prezantoi dizajnin e kurrikulës për shekullin XXI, të ashtuquajtur Constructive Alignment, sipas të cilës, studenti duhet të jetë në zemër të kësaj kurrikule.
“Është shumë e rëndësishme që studentët të përfshihen në hartimin e kurrikulës sepse në realitet duhet parë nëse ata janë të kënaqur, pra si të tillë, studentët duhet të jenë në zemër të kurrikulës”.

 

Sipas saj, janë dy pjesë kryesore që përfshihen në këtë kurrikulë, ku studentët konstruktojnë kuptimin e asaj se çka mësojnë dhe mësimdhënësit i përshtatin aktivitetet e planifikuara mësimore me rezultatet e të nxënit.


Koordinatorja e programit Erasmusë në Kosovë, Remzije Bajrami, e cila gjatë këtij seminari prezantoi punën që kryhet në kuadër të këtij programi, si dhe për përfitimet e studentëve në kuadër të këtij programi.


“Aktualisht, zyra e programit Erasmusë operon në nivel kombëtar, duke i implementuar të gjitha projektet që përfshihen nëpër programet për shkëmbim të studentëve, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta”, teksa shtoi se u shpreh e lumtur që UBT është pjesë aktive dhe studentët e UBT-së janë përfitues të këtij programi.

 

UBT ka mbi 250 marrëveshje me institucione dhe universitete tjera, si dhe është pjesë e programeve të ndryshme ndërkombëtare për projekte të përbashkëta dhe për mobilitet të studentëve dhe stafit akademik, teksa kurrikulat në bazë të të cilave funksionon UBT, bazohen në praktikat më të mira dhe të dëshmuara profesionale ndërkombëtare .

 

https://www.youtube.com/watch?v=2SSeSOwehnk&feature=youtu.be

Lajme