Studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit vizituan autostradën “Arbër Xhaferi”, panë punimet që po zhvillohen atje

Studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit vizituan autostradën “Arbër Xhaferi”, panë punimet që po zhvillohen atje

Studentët e vitit të tretë, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, realizuan vizitë njëditore në autostradën “Arbër Xhaferi”, përkatësisht në segmentin e Sojevës, punimet e së cilës është duke i përfunduar kompania ndërtimore “Bechtel Enka”

 

Vizita studimore kishte për qëllim që t’i njoftonte studentët me rolin, rëndësinë, veprimet dhe aktivitetet, të cilat zhvillohen gjatë ndërtimit të veprave inxhinierike, konkretisht në këtë rast, në autostradën “Arbër Xhaferi”, si dhe t’i njihte nga afër me pjesën më të madhe të objekteve inxhinierike, që janë në ndërtim e sipër në këtë autostradë.


Me këtë rast, studentët u pritën nga përfaqësuesit e departamentit për marrëdhënie me publikun dhe nga përfaqësuesja e kësaj kompanie, Arta Salihu, nën shoqërimin e të cilëve, studentët arritën të shohin pjesën kryesore të punimeve ndërtimore që janë duke u kryer në autostradë, përkatësisht në segmentin e Sojevës, e që shërbeu si një praktikë ideale e integrimit të pjesës teorike të mësuar në UBT, me atë praktike.

 

Tutje, studentët i realizuan dy teste, me ç’rast i pari kishte të bënte me matjen e koeficientit të ngjeshjes së shtresave të asfaltit përmes aparatit të TROXLER (metoda joshkatërruese), e cila sipas shpjegimit të dhënë aty, kishte një rezultat matje deri në 95% të saktë, kurse testi i dytë kishte të bënte me matjen e uljes së pilotës për forca goditëse, duke filluar nga 50 cm e tutje, e cila realizohej me pajisje konstruktive të konstruktuar mbi pilot, duke e vënë në funksion përmes vinçit ngritës, me masë goditëse 15 ton.

 

Konsiderohet se studentët me përvojën e fituar, mund dhe janë të aftë të zgjidhin probleme inxhinierike për lloje të ndryshme të veprave inxhinierike.

Lajme