Juristi Sejdiu ligjëron për studentët e UBT-së

Juristi Sejdiu ligjëron për studentët e UBT-së

Në kampusin e UBT-së, në Prishtinë, për studentët e Fakultetit Juridik, Shkenca Politike dhe Media e Komunikim, mbajti ligjëratë tematike juristi Korab Sejdiu, gjatë së cilës trajtoi temën e reformave dhe qasjes së qytetarëve në drejtësi.

 

Me këtë rast, Sejdiu tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë çalon në shumë aspekte dhe se kjo përbën pengesë të madhe në tërheqjen e investitorëve të huaj.


Kompanitë e mëdha nuk pranojnë të investojnë në një vend që ka probleme të mëdha me sistemin e drejtësisë sepse për të investuar, të gjitha kompanitë e mëdha kërkojnë siguri që problemet e tyre do të zgjidhen shpejt dhe në mënyrë efikase, andaj nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik, pa e rregulluar më parë sistemin e drejtësisë”, theksoi ai.

 

Sejdiu vlerësoi se drejtësia në Kosovë nuk mund të rregullohet dhe të jetë funksionale pa reforma, por të cilat, sipas tij, nuk mund të bëhen pa një qasje dhe një plan gjithëpërfshirës, në realizimin e të cilit mund të ndikojnë të gjithë.


“Shumë njerëz duhet ta kryejnë punën në mënyrë të duhur, për të ardhur deri tek rezultati i duhur sepse mjafton që një komponent të dështojë dhe dështon i tërë procesi”, potencoi ai, teksa shprehu shqetësim për  buxhetin e ulët që ndahet për sistemin e drejtësisë.


“Drejtësia është shtylla kryesore e funksionimit të një shteti, por edhe përkundër kësaj, vetëm 1 përqind e buxhetit të tërësishëm të shtetit ndahet për të, në anën tjetër, për të funksionuar sistemi i drejtësisë, ka nevojë për shtim të kapaciteteve humane dhe ekonomike”.

 

Tutje, ai shtoi se drejtësinë kosovare e kanë kapluar shumë probleme, duke përfshirë buxhetin tejet të ulët, numrin e madh i lëndëve të pazgjidhura, mungesën e personelit dhe teknologjisë, mungesën e kapacitetit profesional, përfaqësimin nga jojuristët, mungesën e guximit profesional etj., teksa shtoi se zgjidhjen adekuate e sheh tek dhënia e ideve që japin rezultate të shpejta.


“Zgjidhja e shpejtë dhe që jep rezultate gjendet tek krijimi i një mekanizmi mbikëqyrës për shkeljet eventuale, tek investimi në kapacitetet humane dhe ekonomike, tek vëzhgimi dhe auditimi i vazhdueshëm i pasurisë së gjyqtarëve, tek digjitalizimi dhe llogaridhënia mbi moskryerjen e punëve të caktuara dhe mbi të gjitha, tek vetëdijesimi i njerëzve për të drejtën e tyre, të cilën duhet ta kërkojnë me ngulm”.

 

Në fund të ligjëratës, studentët e UBT-së shtruan pyetje, të cilat kryesisht lidheshin me sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe më gjerë, por edhe për zhvillimet e fundit politike, të cilat e prekin fushën e drejtësisë.

Lajme