Studentët e UBT-së vizituan Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës

Studentët e UBT-së vizituan Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, kanë realizuar vizitë studimore në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, ku janë njoftuar nga afër rreth cilësisë së ujërave, ajrit, tokës, hidrologjisë dhe meteorologjisë.


Ata janë pritur nga përfaqësuesit e këtij instituti, Agron Shala, përgjegjës për cilësinë e ujërave dhe hidrologji, Shkumbin Shala, përgjegjës për cilësinë e ajrit dhe tokës, Beqir Gashi, përgjegjës për meteorologji.


Studentët kanë parë nga afër teknikat e punës me të cilat punon instituti, si dhe rolin e funksionimin e teknikave analitike, të cilat konsiderohen të jenë inovative. Po ashtu, u njohën me organizmin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit llogaritës, me sistemin vrojtues të bazës së të dhënave e të prognozimit që shërbejnë për kryerjen e punëve hidrometeorologjike. Derisa, panë edhe mirëmbajtjen dhe kalibrimin e instrumenteve të rrjetit themelor të stacioneve.


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, me seli në Prishtinë, është pjesë përbërëse e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe është instituti i vetëm i këtij lloji në vend, i cili bën një numër të madh të analizave të ndryshme, të cilat janë të rëndësishme për implementimin efikas të programeve të ministrisë përkatëse.

Lajme