Akademiku Ilirjan Malollari ligjëron për studentët e UBT-së

Akademiku Ilirjan Malollari ligjëron për studentët e UBT-së

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë dhe ata të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, mbajti ligjëratë tematike akademiku i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ilirjan Malollari, me ç’rast trajtoi temën më titull: “Metodat e trajtimit të mbetjeve nga industria ushqimore dhe shfrytëzimi i biomasës organike për prodhimin e energjisë''.

 

Në kuadër të kësaj ligjërate u trajtua çështja e transformimit të mbetjeve ushqimore për përfitimin e produkteve të dobishme dhe të energjisë, pastaj u diskutua për përbërjen e ujërave të shpëlarjes së ullinjve, për komponimet organike, për komponimet fenolike, për industrinë e përpunimeve të qumështit, për efektin në mjedisin ujor, metodat e trajtimit të mbetjeve të rrushit, trajtimi biologjik i shkarkimeve ujore nga industria e ushqimore e mishit, trajtimin e ujërave të ndotura etj.

 

Me këtë rast, Malollari vlerësoi se duhet të bëhen më shumë përpjekje për të trajtuar çështjen e mbetjeve ushqimore, si dhe, sipas tij, të gjejmë zgjidhje për një problem të tillë.

 

“Duhet të jemi të fokusuar në mbetjet ushqimore dhe në pjesën e transformimit të tyre për efektin e eliminimit të ndotjes në mjedis, për përfitimin e produkteve të dobishme, por edhe për përfitimin e energjisë”, tha Malollari, teksa shpjegoi që, “një komunikim i përbashkët mund të ndihmojë të gjithë kolegët dhe studentët që të hapin fusha të reja të interesit dhe të komunikimit për këto çështje”.

 

Në fund të ligjëratës, studentët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje rreth ligjëratës së trajtuar.

Lajme