Në UBT u mbajt konferenca “Bota pas BREX-it dhe Trump-it”

Në UBT u mbajt konferenca “Bota pas BREX-it dhe Trump-it”

Në UBT u mbajt konferenca ndërkombëtare “Free Market Road Show”, si bashkëorganizim i UBT-së, Institutit Liberal për Hulumtim Politikash dhe Qendrës Austriake për Ekonomi, me ç’rast këtë vit u trajtua tema më titull “Bota pas BREX-it dhe Trump-it”, ku u diskutua mbi efektet, rëndësinë dhe ndikimin e ndryshimeve të fundit politike në botë, në aspektin social e ekonomik, si dhe sfidat e zhvillimit të tregtisë së lirë.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se situata aktuale në të cilën gjendet bota, nuk sjell vetëm kaos, por edhe ndryshime dhe zhvillime pozitive.

“Bota po kalon nëpër një fazë të re, andaj është shumë me rëndësi që të reflektojmë për ndikimin e këtyre ndryshimeve politike në aspektin social dhe ekonomik”, theksoi ai.

 

Duke folur për rëndësinë e zhvillimit ekonomik, Hajrizi vlerësoi se është përgjegjësi e institucioneve arsimore që të krijojnë njerëz profesionistë në punën e tyre, por edhe të gjenerojnë vende të reja pune.

“Detyra jonë është të nxjerrim njerëz profesionistë në tregun e punës dhe të zhvillojmë vende të reja të punës,  në mënyrë që, njerëzit, e në veçanti të rinjtë, të fillojnë të besojnë në të ardhmen e tyre”, potencoi ai.

 

Ministri i Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci duke përmendur momentet dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë procesit të rimëkëmbjes ekonomike, tha se zhvillimet dhe lëvizjet e fundit politike, që kanë ndodhur në botë, mund të shkaktojnë ndryshime edhe në të ardhmen e vendit tonë.


“Që nga viti 1999, bota është përballur me kriza të mëdha financiare, por në anën tjetër, ne e bënim punën tonë, me qëllim të ndërtimit të shtetit dhe rimëkëmbjes ekonomike”, theksoi ai, teksa shtoi se, në një moment kur vendi ynë është orientuar drejt agjendës integruese evropiane, shtete të ndryshme evropiane, po vendosin për ndërmarrjen e një hapi të kundërt, largimin nga Bashkimi Evropian.


“Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit, po synojnë rrugën e integrimit evropian, në anën tjetër, shumë shtete kanë kane nisur të ndryshojnë në koncepte dhe ide, por edhe përkundër kësaj, Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit, ende vazhdojnë të besojnë në BE”.

 

Sipas Stavilecit, në një epokë të zhvillimit të madh teknologjik, e ardhmja e zhvillimit ekonomik është teknologjia e informacionit.

“Në ditët e sotme, asgjë më mirë, më shpejt, më lehtë dhe më efektshëm sesa teknologjia e informacionit, nuk ndikon në zhvillimin, rritjen dhe gjenerimin e ekonomisë dhe vendeve të reja të punës”, vlerësoi Stavileci, për të shtuar se, “kjo fushë është në sjellim në rrafshin e prioriteteve, për t’i dhënë shpresë të rinjve të vendit ton”.

 

Drejtori i Institutit Liberal për Hulumtim Politikash, Adri Nurellari theksoi se nuk ka asnjë dyshim që, sipas tij, në Kosovë ekziston dhe funksionon liria e tregut dhe e zgjedhjes.

“E drejta e lirisë nuk është vetëm e drejtë morale, por edhe ligjore, prandaj jam i bindur se edhe në Kosovë njerëzit e kanë kuptuar rëndësinë e zgjerimit dhe përparimit ekonomik, dhe mbi të gjitha, vlerën e tregut të lirë”.

 

Përfaqësuesi i Fakultetit për Studime të Biznesit në Slloveni. Mitja Steinbacher, teksa analizoi ndikimin e BREX-it dhe zgjedhjes së Trump-it për president të SHBA-ve, vlerësoi se këto ndryshime i kanë edhe anët e tyre pozitive, kjo pasi që, sipas tij, shtetet tjera të botës mund të reflektojnë për të ardhmen e tyre.

“Ndryshimet dramatike institucionale të një vendi të madh, mund të ndikojnë në politikën e tërë shteteve të botës, megjithatë është mirë që po ndodhin këto ndryshime sepse shtetet tjera kanë mundësi të reflektojnë për vete, duke bërë krahasime me këto shtete”, theksoi Steinbacher.

 

Ligjëruesi në UBT, Schari Zafarpour, duke u bazuar në analizat e veta të bëra gjatë kësaj kohe, tha se problemi i Bashkimit Evropian nuk është largimi i Britanisë së Madhe apo zgjedhja e presidentit Trump, por sipas tij, janë orientimet e ndryshme kulturore të shteteve anëtare të BE-së.

“BE nuk ndikohet shumë nga ndryshimet eventuale, për aq kohë sa pjesa e shteteve tjera anëtare tregtojnë dhe e mbajnë një standard të përbashkët kulturor”, përfundoi ai.

 

Profesori vizitor në UBT, njëherësh pjesë e Universitetit “Francisco Marroquin”, Christopher Lingle ngriti shqetësimin se ndryshimet e fundit politike në botë, do të ndikojnë rrjedhën e zhvillimeve ekonomike globale, ndonëse sipas tij, problemet e kësaj natyre do të zgjidhen dhe mbi të gjitha, njerëzit dhe shtetet duhet të jenë të lirë në zgjedhjet që bëjnë.


“Në kohën në të cilën po jetojmë, ne nuk mund t’ju ofrojmë njerëzve ide naive, por po mundohemi t’ua japim realitetin dhe të gjejmë një zgjidhje, që njerëzit të jetojnë një jetë dinjitoze njerëzore dhe në këtë aspekt, tregu i lirë përbën një element të rëndësishëm në këtë pjesë”.

 

Përfaqësuesi i Qendrës Austriake për Ekonomi, Federico Fernandez u shpreh se rreziku më i madh me të cilin po përballen sot vendet evropiane, duke përfshirë edhe ato të zhvilluarat ekonomikisht, është populizmi i tepruar, i cili, sipas tij, nuk është ide, por sëmundje për institucionet demokratike.

“Në mbarë botën, populistët që udhëheqin shtete, flasin për popullin, por e injorojnë atë gjatë tërë kohës, pro edhe përkundër kësaj ai shpesh kalon në totalitarizëm”, gjë që, sipas tij, “çrregullon rendin demokratik dhe krijon urrejtje ndaj çdo mekanizmi që e vë në dyshim dhe në kritikë atë, përfshirë edhe mediat, të cilat tentojnë t’i mbyllin me çdo kusht”.

 

Profesori vizitor në UBT, David Olster konsideroi se zgjedhja e Trump-it për president të SHBA-ve, e ka lënë vendin dhe amerikanët në një pozitë të vështirë, sidomos për faktin se, sipas tij, ata janë të ndarë në mendime.

“Në fushatën e tij elektorale, Trump ka bërë premtime, por vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet, disa prej tyre nuk i ka realizuar, përfshirë këtu edhe faktin e ndërhyrjes ushtarake në Siri, hap ky që përshëndetet nga disa, por në të njëjtën kohë, edhe kritikohet nga disa të tjerë”, theksoi Olster.

 

Aktiviteti “Free Market Road Show”, ka filluar më 16 mars dhe do të zgjas deri më 22 maj të këtij viti, teksa po mbahet në 45 kryeqytete të shteteve të ndryshme të Evropës dhe në Kaukaz, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Slloveninë, Gjermaninë, Kroacinë, Serbinë, Zvicrën, Austrinë, Hungarinë, Sllovakinë, Greqinë, Qipron, Gjeorgjinë, Armeninë, Ukrainën, Lituaninë, Poloninë etj.

Lajme