ALCIRT dhe UBT-CERT organizojnë Javën e Inovacionit

ALCIRT dhe UBT-CERT organizojnë Javën e Inovacionit

Agjencia Kombëtare për Siguri kibernetike e Shqipërisë (ALCIRT) dhe UBT-CERT, falë bashkëpunimit të krijuar ndër vite, do të jenë organizatorë të ngjarjes “Java e Inovacionit”, që do të mbahet në Shqipëri.

 

Aktiviteti i parë në kuadër të kësaj jave, do të fillojë më 17 maj, me konferencën studentore: “Teknologjia që punëson”, me ç’rast punimet e prezantuara gjatë kësaj dite, do të fokusohen tek ndikimi dhe evoluimi i sulmeve kibernetike, në gjenerimin e vendeve të punës, përmes sjelljes së analizave nga kompani të njohura botërore, përfshirë Google, Microsoft, Amazon etj.

 

Të drejtë aplikimi për prezantimin e punimeve të tyre shkencore kanë të gjithë studentët e drejtimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit nga Kosova dhe Shqipëria, kurse aplikimi për pranimin e abstrakteve të punimeve do të jetë i hapur deri më 3 prill.

 

Pas kësaj, aplikuesit që do përzgjidhen në fazën e parë, do të kontaktohen për t’i paraqitur punimet e tyre të plota, deri më datë 24 prill.

“Java e Inovacionit” është përkrahur edhe nga Ministria për Inovacion dhe Administratë Publike e Shqipërisë, teksa në fund të këtij organizimi, pjesëmarrësit do të certifikohen nga ministrja e kësaj ministrie, Milena Harito.

Lajme