"IPKO Foundation" ua prezantoi studentëve të UBT-së projektin “GAME OVER, Corruption”

Studentët e Shkencave Kompjuterike, si dhe të drejtimeve të tjera të UBT-së, kanë përcjellë një sesion informues, organizuar nga fakulteti përkatës, në lidhje me garën “Game Over, Corruption!”, i cili është projekt i UNDP-së, mbështetur nga Fondacionin IPKO dhe i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit (Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC)) dhe Agjencia Daneze për Zhvillim (Danish Development Agency (DANIDA)). Studentët janë njoftuar për garën nga përfaqësues të Fondacionit IPKO.


Ky projekt i UNDP ka për qëllim të mbështesë përpjekjet drejt Antikorrupsionit, kështu që edhe “Game Over, Corruption!” përbën lojëra të fokusuara për luftimin e korrupsionit.

 

Gara ka për qëllim shfrytëzimin e sektorit të lojërave për telefonë të mençur, shfrytëzimi i të cilëve dita-ditës po rritet, për të transmetuar mesazhin e antikorrupsionit dhe edukimit të publikut.

 

“Me fjalë të tjera, ne duam t’i kundërvihemi kësaj dukurie negative shoqërore, duke shpërndarë mesazhin përmes lojërave si formë zbavitjeje”, thuhet në njoftimin që e ka lëshuar Fondacioni IPKO.

 

Data e fundit për të aplikuar është 18 dhjetori 2016, deri në mesnatë.

Gara e zhvillimit të lojërave, gjithnjë sipas njoftimit të Fondacionit IPKO është e hapur për të gjithë zhvilluesit dhe entuziastët e lojërave anembanë Kosovës, nga zhvilluesit e pavarur e deri tek profesionistët.

 

Pritet që aplikuesit të inkorporojnë një qasje inovative dhe gjithëpërfshirëse karshi antikorrupsionit në zhvillimin e lojës së tyre.

 

Ngjarja do të ndodhë në Teatrin “Oda”, me 23 dhjetor 2016, duke filluar nga ora 18:00. 
Ekipet e përzgjedhura do të kenë mundësinë të prezantojnë idetë e tyre para panelit gjykues, i përbërë nga zhvillues dhe dizajnerë lojërash.

 

Përveç sesionit prezantues, pjesëmarrësit do të jenë në gjendje të dëgjojnë fjalime nga zhvillues dhe dizajnerë ndërkombëtarë. Lojërat do të shërbejnë si mjet edukativ për ngritjen e vetëdijes mbi temën e korrupsionit dhe përpjekjeve në fushën e antikorrupsionit.

 

Fituesit do të përzgjidhen pasi të përfundojë prezantimi i ideve, ku nga fituesit pritet që brenda afatit kohor, dhe në marrëveshje me organizatorët, ta finalizojnë dhe lansojnë lojën.

Për më shumë informata, ju lutem vizitoni eventin: 
https://www.facebook.com/events/364987377170589/

Lajme