Prof. Daniel Bernard mbajti ligjëratë tematike për studentët e UBT-së

Prof. Daniel Bernard mbajti ligjëratë tematike për studentët e UBT-së

Eksperti dhe ligjëruesi në fushën e gazetarisë, profesori Daniel Bernard, ka mbajtur një ligjëratë tematike në UBT, më temë: "Një qasje gjithëpërfshirëse për mediat lokale dhe kombëtare".


Ligjërata është rezultat i bashkëpunimit të UBT-së me Shoqatën e Miqësisë Franko-Shqiptare, ndërsa mblodhi profesorët dhe studentët e Medias e Komunikimit në UBT.
Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, bashkëpunimin me shoqatën në fjalë e vlerësoi si një hap drejt krijimit të një ure lidhëse e bashkëpunimi midis shqiptarëve dhe francezëve, teksa falënderoi profesorin Bernard për ligjëratën dhe ndarjen e përvojave me studentët. Falënderoi edhe presidentin e Shoqatës Franko-Shqiptare, Tahir Shabanin për kontributin e tij në fushën e diplomacisë dhe promovimit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.


“Kjo shoqatë ka ndikuar dhe ndihmuar Kosovën në mënyrë të vazhdueshme, në promovimin e vlerave kosovare dhe lidhjes me shtetet evropiane”, theksoi Hajrizi.
Presidenti i Shoqatës Franko-Shqiptare, Tahir Shabani, ndërkaq, tha se diaspora e Kosovës po punon vazhdimisht në plotësimin e misionit diplomatik e kulturor, teksa i inkurajoi studentët për të punuar, në drejtim të fuqizimit të Kosovës.


“Studentët tanë janë thesari dhe e ardhmja e Kosovës, prandaj pa punën dhe ndihmën tuaj, vështirë se mund të përmbushet misioni ynë”, shtoi Tahiri.
Profesori i gazetarisë, Daniel Bernard, duke e falënderuar UBT-në për mundësinë e ofruar, tha se gazetaria është profesion me shumë përgjegjësi dhe sfida. Ai këshilloi studentët e gazetarisë për ta ushtruar këtë profesion në mënyrën më të mirë të mundshme.


”Gazetaria është profesion i vështirë, por duhet të bëhet me seriozitet, kualitet dhe sinqeriteti”, tha ai. Më pas njoftoi studentët për historikun e zhvillimit të mediave lokale e ndërkombëtare në Zvicër, pengesat në përgatitjen, incizimin dhe publikimin e teksteve, politikat dhe marketingun e mediave, ndikimin e zhvillimit teknologjik në punën e mediave vizuale etj.
Profesori Bernard tha se gjeneratat e reja duhet të jenë në gjendje ta marrin në duar të ardhmen e këtij profesioni.


“Gjenerata juaj po e përgatit të ardhmen e televizioneve dhe të gazetarisë, në përgjithësi”, theksoi profesori, teksa shtoi se teknologjia po i zvogëlon pengesat e funksionimit dhe të mbarëvajtje së punës së mediave. Ligjërata e profesorit Daniel Bernard, përfundoi me një debat me profesorët dhe studentët pjesëmarrës.


Në fund të ligjëratës së profesorit, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Miqësisë Franko-Shqiptare.

Lajme