UBT nis aktivitetin “HackDay Kosova 2016” – rektori Hajrizi porosit garuesit që të jenë hakerë të bardhë

UBT nis aktivitetin “HackDay Kosova 2016” – rektori Hajrizi porosit garuesit që të jenë hakerë të bardhë

“Bëhuni Hakerë të bardhë”, është porosia që rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi ua ka bërë garuesve të rinj, hakerë nga Kosova e rajoni, pjesëmarrës në aktivitetin e UBT-së, saktësisht të UBT-CERT-it “HackDay Kosova 2016”, që ka filluar sot në Kampusin Inovativ në Lipjan, ndërsa do të përfundojë nesër. 


Duke folur për rëndësinë e organizimit, rektori Hajrizi ka thënë se tashti është kohë e digjitalizimit, kur del në pah elementi i sigurisë kibernetike. 


“Në këtë rast, ne si institucion i arsimit të lartë , gjithmonë e kemi pasur parasysh përgjegjësinë tonë për të gjeneruar kompetenca edukimi dhe dije në këtë fushë. Ne po mundohemi që të kryejmë obligimin tonë, së pari duke ofruar studime në nivelin bachelor dhe master e pastaj edhe me inovacione të tjera”, ka thënë rektori Hajrizi. Rektori e ka cilësuar aktivitetin si arritje shumë të madhe për UBT-në, pasi që studentët kanë filluar të specializohen.

 
“Ne e kemi parë të arsyeshme që për siguri kibernetike të marrim model nga një projekt norvegjez, që ka ndërlidhur të gjitha palët e interesit për njohuri në këtë fushë”, theksoi dr.Harjizi, sipas të cilit në fazën e parë të plani përfshihet funksionalizimi.


“Në këtë drejtim ne kemi bërë kërkesë për anëtarësim në CERT-in evropian dhe kemi marrë përgjigje pozitive për anëtarësim dhe bashkëpunim me institucione e partnerë të tjerë nga vende të ndryshme. Ne e kemi bërë një simulim të një organizimi të tillë, në “Hack Day Albania”, prandaj kemi dashur që të njëjtën ta bëjmë edhe në Kosovë”, ka shtuar rektori, derisa e ka shpalosur qëllimin e garës së aktivitetit të sotëm.


“Qëllimi është që kjo garë të bëhet tradicionale, sepse si interesim i parë i UBT-së janë studentët tanë të shumtë në numër, në Fakultetin e Shkencave kompjuterike”, ka vijuar rektori, teksa dy ditët e aktivitetit “HackDay Kosova 2016” i ka cilësuar interesante, pasi që sipas tij “do të bëhen simulime, të cilat do të jenë në interes, jo vetëm të industrisë, por edhe për institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare”.


Ai i ka inkurajuar pjesëmarrësit e garës që të vazhdojnë me ritmin.
“Është një çështje me qasje të mirë dhe perspektivë, sepse ju duhet të jeni hakerë që do i ndihmoni institucionet për të ruajtur informacionet, e bashkë me këtë edhe imazhin, strategjitë etj. Investimi në aspektin e sigurisë është kërkesë e institucioneve dhe individëve, prandaj në këtë qasje, kërkesa është që të investohet edhe më shumë. Pra, është kërkesë e madhe e tregut”, e ka përmbyllur diskutimin rektori Hajrizi, me porosinë që hakerët të bëhen “Hakerë të bardhë”, aso që ndihmojnë shoqërinë. 


Edhe drejtori i Përgjithshëm në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në nivel të Qeverisë së Kosovës, Kujtim Gashi, e ka vlerësuar lart aktivitetin e organizuar në UBT. Sipas tij, programi që bënë UBT është më se i rëndësishëm. Në këtë rrafsh, ai ka thënë se veprimtaria akademike e profesionale e UBT-së në Teknologjinë Informative dhe në shkencat e informacionit i bënë më të sigurta institucionet e Republikës së Kosovës dhe kompanitë e ndryshme.


“UBT është lider për Teknologjinë Informative”, është shprehur tutje ai, duke përmendur faktin se edhe liderët më të mëdhenj botëror, si sfidë të madhe e shohin sigurinë kibernektike. 
Menaxheri i UBT-CERT-it, Atdhe Buja, ndërkaq, ka bërë të ditur se pjesëmarrës në aktivitet ka studentë nga Kosova e rajoni, teksa në ditën e parë do të zhvillohet gara midis hakerëve, kurse në ditën e dytë do të ndahen certifikate dhe shpërblime për fituesit. Pas përfundimit të ceremonisë së hapjes së aktivitetit, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i ka njoftuar mysafirët pjesëmarrës të “HackDay Kosova 2016” me ambientet e UBT-së, të cilët janë befasuar me kushtet e mira që ofron për studentët ky universitet.​​​​​​

Lajme