UBT-CERT organizon aktivitetin “HackDay Kosova 2016”

UBT-CERT organizon aktivitetin “HackDay Kosova 2016”

UBT, si lider rajonal në fushën Shkencave Kompjuterike, Sistemeve të informacionit etj., nesër (të premten) do të fillojë aktivitetin dyditor, dedikuar sigurisë kibernetike, “HackDay Kosova 2016”.

 
Aktiviteti do të mbahet në UBT Campus në Lipjan, duke filluar nga ora 09:00.

UBT është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë i cili njihet ndërkombëtarisht me divizionin CERT. 

Kjo është hera e parë që UBT-CERT organizon “HackDay Kosova 2016.”

Ky aktivitet, krahas mesazhit ndërgjegjësues që bartë në vete për sigurinë kibernetike në shtetin e Kosovës, zhvillon edhe garën kibernetike ku marrin pjesë hakerë nga i gjithë rajoni. 
UBT-CERT është një ekip me misionin e vetëm të ndërgjegjësimit rreth sigurisë kibernetike të qytetarëve dhe mbarë komunitetit të TIK-ut, drejt sfidave që përfaqëson perceptimi i kërcënimeve apo sulmeve kibernetike, duke promovuar të dhëna dhe informacione, edukim dhe shpërndarje të praktikave më të mira.


Organizimi ndërlidh dy strategji të përpiluara nga agjenci e institucione të ndryshme ndërkombëtare: e para ka të bëjë me aktivitetet teknike të vlerësimit të sigurisë së sistemeve të informacionit nga grupet pjesëmarrëse, në një infrastrukturë të improvizuar për realizimin e ushtrimit dhe, e dyta, ka të bëjë me pjesëmarrjen e individëve me përvojë në fushën e sigurisë së informacionit, duke përfshirë partnerët e CERT dhe institucionet e tjera, aktiviteti i të cilëve është i orientuar nga siguria e informacioneve.
Siguria kibernetike, një nga fushat më të rëndësishme për mbrojtjen e sistemeve të informacionit, ndihmon institucionet shoqërore, kompanitë dhe bizneset nga sulmet e mundshme kibernetike, që mund të krijojnë humbje të mëdha materiale dhe financiare. 

Madje, mund të ndikojnë edhe në çrregullime të mëdha të sigurisë shoqërore.

 

Një pjesë të aktivitetit mund ta përcillni drejtpërdrejt nëpërmjet faqes zyrtare të UBT-së

Agjenda e specifikuar:

Dita e parë (25 nëntor 2016)
09:00 – 09:30 Regjistrimi i pjesëmarrësve
09:30 – 10:00 Fjalë hyrëse (prof. dr. Edmond Hajrizi, rektor UBT)
10:00 – 16:00 Testimi i infrastrukturës
16:00 – 18:00 Përgatitja dhe dorëzimi i raportit

Dita e dytë (26 nëntor 2016)
10:00 – 11:00 Shpallja e fituesit/fituesve dhe ndarja e certifikatave (prof. dr. Edmond Hajrizi, rektor UBT dhe znj. Rovena Bahiti, drejtoreshë e ALCIRT)

Lajme