MENAXHMENT, BIZNES DHE EKONOMI (MBE)

MBE - Bachelor

 

 

MBE - Bachelor

 

FAKULTETI PËR MENAXHMENT, BIZNES DHE EKONOMI (MBE)

 

MBE është fakulteti që udhëheq në vend dhe në regjion për më shumë se 12 vite me programe specifike nga fushat e Menaxhmentit, Biznesit dhe të Ekonomisë. Përkundër ekzistimit të programeve të ndryshme paralele në regjion, MBE ishte dhe mbetet lider akademik dhe profesional, duke iu përgjigjur nevojave themelore dhe atyre strategjike të sektorit privat dhe të atij publik në Republikën e Kosovës dhe në regjion.

Programet që ofron MBE janë të fokusuara në aftësimin akademik dhe praktik të studentëve në fushat e menaxhimit, të biznesit dhe të ekonomisë dhe gërshetojnë metodologji dhe qasje moderne me të cilat studentët pajisen me eksperiencat e reja dhe me dijen e kërkuar për të krijuar një karrierë të suksesshme, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat.


ҪKA OFRON FAKULTETI MBE ?

Përshkrimi i programit

MBE ka dizajnuar programe specifike, duke marrë në konsideratë kërkesat e tregut nga trendët vendorë, regjionalë dhe ata botërorë të zhvillimeve dhe kërkesat e tregut të punës. Programi është hartuar bazuar në faktorët më të rëndësishëm dhe nga treguesit e matshëm të nevojave për zhvillim ekonomik dhe të mundësive të reja të vendeve të punës në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.


Burimet hyrëse për të dizajnuar programet e MBE janë marrë duke filluar nga Strategjia Kombëtare e Punësimit dhe Planit për Zhvillim Ekonomik Kombëtar, Reformat Biznesore të hartuara nga USAID-i, Programi për Zhvillim të Sektorit Privat i Bankës Botërore, të Ministrive përkatëse të Republikës së Kosovës, pikëpamjet e biznesit privat në Kosovë, si dhe konkluzionet nga konsultimi me studentët aktualë dhe alumnin e MBE-së.


Procesi i dizajnimit të programeve ka marrë parasysh edhe krijimin e infrastrukturës moderne dhe të stafit akademik me eksperiencë dhe njohuri ekselente nga fushat adekuate. Në këtë rast është ngritur infrastrukturë e re, është rinovuar infrastruktura ekzistuese, është modernizuar teknologjia për mësim proaktiv në platformën elektronike ‘Moodle’ dhe ambienti i mësimit është pajisur me mjete të nevojshme dhe me libra adekuatë për studim modern profesional.

 

Programet e dizajnuara të fakultetit MBE janë programe të akredituara dhe të ri-akredituara nga ekspertët ndërkombëtarë të fushës së menaxhimit, të biznesit dhe të ekonomisë, si dhe të Agjencisë për Akreditim të Republikës së Kosovës për periudhën 2015-2020. Akreditimi është një proces që ka për detyrë të identifikojë nëse programet janë adekuate, i plotësojnë të gjitha normat dhe standardet akademike kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe se janë programe të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe për tregun e punës. Në këtë rast të gjitha programet e MBE janë akredituar, gjë që dëshmon që programet janë serioze dhe me vlerë të posaçme kombëtare dhe ndërkombëtare.  


PROGRAMET AKADEMIKE BAҪELOR DHE MASTER


Aktualisht Fakulteti MBE ofron këto programe akademike:

Programi Baҫelor trevjeçar me pesë fusha të specializimeve:

1.Banka, Financa dhe Sigurime

2.Kontabilitet, Auditim dhe Tatime

3.Marketing dhe Shitje

4.Menaxhment, Ndërmarrësi dhe Inovacion

5.Biznes Ndërkombëtar

Të drejtën për t’u regjistruar në Programin Baҫelor të Fakultetit MBE e kanë të gjithë ata që kanë përfunduar maturën dhe që përmbushin kërkesat sipas Ligjit mbi Arsimin e Lartë të Republikës së Kosovës.


Kohëzgjatja e studimeve Baҫelor

Studimet Baҫelor zgjasin 6 (gjashtë) semestra, që janë tri vite akademike. Studentët mund të studiojnë si të rregullt dhe me korrespondencë dhe në fund të programit pajisen me diploma të nivelit Baҫelor nga fusha e studimit. Orari i ligjëratave organizohet në bazë të kërkesave të studentëve. Tradicionalisht në MBE ligjëratat organizohen gjatë ditës për shumicën e studentëve dhe në mbrëmje për studentët me kërkesa specifike, që mund të ndërlidhen me angazhimet e tyre në punë.


SPECIALIZIMET

1.    Banka, Financa dhe Sigurime

Në këtë fushë të specializimit studentët aftësohen të kuptojnë dhe të menaxhojnë investimet dhe të bëjnë analiza financiare në nivel të institucioneve të mëdha financiare, siç janë bankat dhe organizatat e sigurimeve. Në këtë rast studentët do të kuptojnë se si institucionet e mëdha financiare operojnë dhe si e identifikojnë dhe e menaxhojnë rrezikun.

 

2.    Kontabilitet, Auditim dhe Tatime

Kjo fushë e specializimit është dizajnuar bazuar në analizën e tregut prej nga ka rezultuar se aktualisht ka një diversitet të kërkesave për profile të specializuara në fushën e menaxhimit të financave dhe të performancës financiare të bizneseve. Në këtë aspekt është identifikuar nevoja për ngritjen e profesionalizmit në auditim të brendshëm dhe të jashtëm të biznesit, dhe kontroll dhe planifikim më efikas dhe më të kualifikuar të sistemit të tatimeve. Nga kjo paraqitje është hapur perspektiva për zhvillimin e specializimit me një fuzion të caktuar të kontabilitetit, auditimit dhe të tatimeve.

 

3.    Marketing dhe Shitje

 

Specializimi Marketing dhe Shitje është një ndër specializimet tradicionale të MBE-së. Në këtë specializim studentët aftësohen në menaxhimin e marketingut të avancuar, duke u fokusuar fillimisht me njohjen me ambientet politike, ligjore, ekonomike dhe kulturore, që mund të kenë ndikim në paraqitjen dhe tregtimin e produkteve dhe shërbimeve (marketingut dhe shitjes) në rrafshin nacional dhe atë internacional. Më tutje, specializimi i mundëson studentëve që të krijojnë aftësi për njohjen dhe studimin e sjelljes së konsumatorit dhe të faktorëve ndikues të identifikimit, zgjedhjes dhe mirëmbajtjes së konsumatorit. Në fund të specializimit, studentët arrijnë të aftësohen për realizim të hulumtimeve të marketingut, duke aplikuar metoda dhe teknika moderne të komunikimit dhe të hulumtimit.

  

4.    Menaxhment, Ndërmarrësi dhe Inovacion

 

Fusha e specializimit Menaxhment, Ndërmarrësi dhe Inovacion është fushë që i nevojitet çdo menaxheri dhe ndërmarrësi, për të mësuar, për të kuptuar dhe për të zhvilluar mundësitë e të bërit biznes në mënyrë të suksesshme. Duke filluar nga njohja e mundësive për zhvillimin e bizneseve të reja, duke filluar nga studimet e fizibilitetit, krijimi i biznes-planeve, hapja e bizneseve të reja, menaxhimi inxhinierik i tyre, si dhe zhvillimi dhe ngritja e tyre. Në aspektin e të menduarit kritik dhe të kreativitetit, elementët më të rëndësishëm të studimit janë njohja e koncepteve dhe strukturave moderne menaxheriale dhe organizative, si dhe hulumtimi dhe implementimi i strategjive të bazuara në inovacion.

 

5.    Biznesi Ndërkombëtar

Në kuadër të specializimit Biznesi Ndërkombëtar, studentët aftësohen që të kuptojnë elementet themelore të strategjisë së të bërit biznes ndërkombëtarisht. Në këtë fushë të specializimit, studentët do të mësojnë rreth strategjisë, teknikave, marketingut internacional dhe rreth çështjeve politike, juridike, ekonomike, ekologjike dhe kulturore që e influencojnë biznesin ndërkombëtar. Në kuadër të këtij specializimi, studentët njihen me sfidat e të bërit biznes në nivel ndërkombëtar, ku përfshihen vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Lajme