UBT zgjeron bashkëpunimin me universitete në Britaninë e Madhe

Presidenti i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi ka qëndruar për një vizitë disaditëshe në Britani të Madhe. Gjatë kësaj vizite, z.Hajrizi ka vizituar një varg universitetesh dhe institucionesh të tjera të arsimit të lartë, me të cilat UBT ka bashkëpunim, si dhe një numër të madh sish me të cilat gjatë takimeve u vunë bazat e bashkëpunimit të ndërsjellë.


Në takime me drejtues të këtyre institucioneve, dr.Hajrizi i ka njoftuar ata lidhur me zhvillimet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, përfshirë zhvillimet politike, por edhe zhvillimet në sferën ekonomike, si dhe me theks të veçantë për zhvillimet në fushën e arsimit të lartë, ku, sidomos në sektorin privat, vendi ynë ka nevojë ende për mbledhje përvojash, por edhe mbështetje të vazhdueshme, në drejtim të arritjes së niveleve të edukimit të lartë në vendet e zhvilluara.
Dr.Hajrizi ka gjetur mirëkuptimin e bashkëbiseduesve të tij për të shtrirë bashkëpunimin në një varg fushash.


Si hap i parë i bashkëpunimit do të jetë angazhimi i profesorëve nga këto institucione për mësimdhënie dhe bartje përvojash në UBT, pastaj shkëmbimi i studentëve, organizimi i vizitave studimore e forma të tjera të bashkëpunimit.


UBT ka marrëveshje bashkëpunimi me një varg universitetesh prestigjioze në Evropë dhe në SHBA, në bazë të të cilave tash disa vjet është zhvilluar një bashkëpunim shumë i mirë, i cili ka dhënë rezultate shumë të mëdha, të cilat edhe e kanë bërë UBT-në një institucion të veçantë të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

Lajme