Rektori i UBT-së takoi kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha


Tiranë, 2 tetor. - Rektori i UBT, prof.dr.Edmond Hajrizi ishte pjesë e një delegacioni të bizneseve kosovare që u takua me kryeministrin e Shqipërisë, dr.Sali Berisha. Delegacionin e bizneseve kosovare, të bashkuara në Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), e kryesoi kryetari i këtij asociacioni, z. Agim Shahini, ndërsa në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, z.Gazmend Pula.


Pasi kanëë falënderuar kryeministrin Berisha për angazhimin e tij të vazhdueshëm për Kosovën dhe kanë shprehur dëshirën që z.Berisha të jetë anëtar nderi i AKB-së, anëtarët e delegacionit të bizneseve kosovare kanë kërkuar përmirësimin e mëtejmë të shkëmbimeve tregtare mes Kosovës e Shqipërisë, duke e ngritur këtë në nivel më të lartë se shkëmbimet tregtare me vendet e treta, në mënyrë që shkëmbim gjithashtu të ngritë konkurrencën me vendet e treta.


Ata kanë falënderuar gjithashtu kryeministrin Berisha për punën e madhe të bërë në infrastrukturën rrugore, sidomos me rrugën Durrës-Kukës, e cila u ka krijuar lehtësira shumë të mëdha bizneseve në të dy vendet dhe ka ndikuar shumë në shtimin e këmbimeve tregtare, me mundësi edhe të depërtimit më të madh dhe shtrirjes së bizneseve në të dy shtetet.


Në takim është diskutuar edhe për shfrytëzimin e infrastrukturës së shtetit shqiptar për bizneset kosovare, si shfrytëzimi i porteve detare dhe infrastrukturës tjetër, shtimin e shkallës së investimeve të kompanive kosovare në Shqipëri, zhvillimin e forumeve ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre nga Shqipëria për të ngritur komunikimin dhe mundësinë e shpërndarjes së përvojave të mira ndërmjet veti, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për teknikat dhe teknologjitë e rëndësishme, zhvillimin e projekteve me karakter publiko-private por edhe ato ndërkufitare, inkurajimin e bizneseve shqiptare për të marrë pjesë në karvanin e biznesit kosovar që mund organizohet edhe në relacionin Prishtinë-Tiranë e të tjera.

Lajme